Site icon Prishtinapress

Institucionet e kulturës bashkërendohen për punën që i pret këtë vit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi sot drejtuesit e institucioneve nacionale të kulturës, me të cilët bisedoi për bashkërendimin e punëve për këtë vit.

Konkretisht, ministrja Dumoshi i njoftoi drejtuesit e institucioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Filarmonisë së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Kosovafilmit për buxhetin që do të kenë sivjet, me mundësinë që pas tejkalimit të situatës në rishikim të buxhetit, përkrahja financiare të rritet edhe më shumë për këto institucione.

Po ashtu, ministrja i ka informuar drejtuesit e institucioneve se është angazhuar që ato të kenë nënkodet e veçanta buxhetore me qëllim të planifikimit sa më të mirë dhe realizimit sa më të shpejtë të punëve të tyre dhe për shmangien e procedurave të panevojshme burokratike dhe tha se shumë shpejt do të marrin konfirmimin për këtë gjë nga Ministria e Financave.

Në takim u diskutua, që derisa jemi në kohën e pandemisë, të përgatitet një kalendar i ngjarjeve dhe aktiviteteve kulturore që do të mund të transmetoheshin dhe publikoheshin në platforma të ndryshme mediale me qëllim që sadopak qytetarët të relaksohen, inkurajohen dhe motivohen në kohën e pandemisë me të cilën po përballemi.

Exit mobile version