Site icon Prishtinapress

Infektologu Valbon Krasniqi: Prej dhjetorit, në Kosovë kanë vdekur gjashtë persona nga gripi sezonal

Infektologu Valbon Krasniqi ka dhënë detaje për coronavirusin që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën.

Krasniqi në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se në Kosovë nga dhjetori deri më tani gjashtë raste të infektuar me gripin sezonal kanë ndërruar jetë.

Për coronavirusin, infektologu ka thënë se i përket “familjes” së njëjtë që ishte paraqitur edhe më parë në vende të ndryshme të botës.

SARS-i apo MERS-i janë paraqitur në vende të ndryshme të botës disa vite më parë dhe sipas Krasniqit ato kanë pasur përqindje shumë më të lartë të vdekjeve për personat që janë prekur nga ky virus.

“Deri më tani nga rreth 80 mijë persona që janë prekur nga virusi më pak se dy mijë kanë përfunduar me fatalitet. Kjo do të thotë se vetëm rreth 3 % e të prekurve kanë përfunduar me fatalitet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Infektologu thotë se simptomat e këtij virusi paraqiten rrej dy javë pasi peroni ka rënë në kontakt me virusin.

“Këta virusë jetojnë në kafshë, por mund të kalojnë edhe të njeriu. Koronavirusi i ri në fillim dyshohej se është transmetuar te njeriu nga gjarpri, por më pas dolën teori se lakuriqi e ka transmetuar te njeriu. E sigurt është se këta virusë vendbanim primar i kanë kafshët”.

Doktori thotë se kategoritë më të rrezikuara nëse preken nga ky virusë janë fëmijët, personat e moshuar që kanë edhe sëmundje tjera, gratë shtatzëna etj.

Krasniqi thotë se Kosova deri më tani ka qenë në fazën përgatitore teknike për të bërë vlerësimin e kapaciteteve.

Mjeku thotë se Klinika Infektive në QKUK ka në dispozicion rreth 130 shtretër për të shtruar personat e prekur nga ky virus.

“Për momentin e kemi izoluar një repart me 25 shtretër por nëse na paraqiten më shumë raste mund ta shfrytëzojmë edhe hapësirën e tërë klinikës”.

Infektologu thotë se duhet të bëhet kujdes por nuk ka nevojë për panikë.

Exit mobile version