Site icon Prishtinapress

Infektimi i mundshëm me COVID-19 i zyrtarit të MIE-së, në vetizolim Kurti e ministri Reka bashkë me kabinetet e tyre

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka treguar sot se është futur në vetizolim, për shkak se kishte pasur kontakt me një zyrtar të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, i cili ka pasur po ashtu kontakt të ngushtë me një të infektuar me coronavirus.

Mirëpo përveç Kurtit në vetizolim është futur edhe stafi i ngushtë i Zyrës së Kryeministrit. Po ashtu në izolim janë edhe ministri i MIE-së, Blerim Rreka dhe stafi i tij.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu

“Momentalisht jemi të izoluar stafi i ngushtë i kryeministrit në detyrë, me kërkesë dhe rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që ekziston dyshimi se njëri nga zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, mund të jetë i infektuar duke qenë se së fundmi ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat që tashmë ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në testet e fundit. Në vetizolim sikurse kabineti i kryeministrit dhe vetë kryeministri janë edhe ministri i Integrimeve Evropiane bashkë me kabinetin e tij”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu bëri të ditur se tani për tani mostra për testim i është marrë vetëm zyrtarit të MIE-së, dhe se janë pritje të rezultatit, ku pastaj do të shohin sesi do të veprojnë.

“Jemi në pritje të rezultatit të testit të zyrtarit të MIE-së, i cili pritet të publikohet sot gjatë pasdites dhe në bazë të rezultatit edhe veprimet tona do të jenë të duhura në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, u shpreh Kryeziu. /Telegrafi/

Exit mobile version