Importi nga Serbia e Bosnja ka rënë për 230 milionë euro, thotë shefi i Doganës

0
20

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka thënë se importi nga Serbia e Bosnja dhe Hercegovina, nga vendosja e taksës për mallrat nga këto dy shtete, ka rënë për 230 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më herët.

Ai ka treguar në KTV se që nga nëntori i vitit 2018 kur u vendos taksa e deri në muajin maj 2019, importi nga këto dy shtete ka rënë për 230 milionë bashkë, ndërsa nga Serbia vetëm në periudhën 1 janar e deri në fillim të muajit maj janë importuar 132 milionë euro më pak.

Nga Bosnja ka rënie prej 20 milionë euro për katër muajt e vitit 2019.

Vetëm në periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2018 ishin importuar rreth 70 milionë euro mallra më pak.

Ai ka thënë se vendosja e taksës ka ndërruar edhe renditjen e importuesve në Kosovë. Sipas tij, Serbia dikur ishte e para, por tash është Gjermania. Ka thënë se Turqia, Kina, Bullgaria, Hungaria e shumë vende të tjera kanë shënuar rritje të importit duke zëvendësuar rënien e importeve nga Serbia.

Ka veçuar Shqipërinë që ka pasur 65 milionë euro importe, duke e konsideruar rritje të madhe.

Sa i përket mallrave të caktuar, ka thënë se ka rritje nga 5 deri 10 për qind në importin në derivate. Për një vit janë importuar 700 milionë litra, 600 milionë litra naftë, benzinë rreth 80-90 milionë litra e vajra rreth 35 milionë litra.

Për një vit nga importi i duhanit janë siguruar 172 milionë euro taksa, ka bërë të ditur ai.

Sa i përket importit të veturave, 2018-a ka pësuar rënie për 50 për qind nga një vit më herët, prej 34 mijë në 17 mijë.

Ai ka thënë se dogana planifikon të mbledhë më shumë se 1.2 miliard euro sivjet e ka thënë se deri tash trendi është pozitiv.

“Trendi është pozitiv. Kemi mbledh deri tash 364 milionë euro. 30 milionë më shumë se vitin e shkuar”, ka thënë ai.