8 C
New York
Thursday, November 21, 2024

Buy now

spot_img

IKD: Anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial vazhdojnë të marrin shtesa dhe të avancohen në kundërshtim me ligjin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin “Konflikti i interesit në avancime dhe përfitime në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial” në të cilin janë paraqitur përfitimet dhe avancimet e kundërligjshme të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku shpërfaqen përftimet e avancimet e kundërligjshme të krerëve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Ligje të mira në letër, e zbatim i dobët ose mos zbatim fare i tyre në praktikë, është një histori që e ka përcjellë shtetin e Kosovës tash e sa kohë. Një ndër ligjet më të avancuara që është miratuar në Kosovë, është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Ndonëse janë bërë gati tre vite që nga miratimi i këtij ligji, zbatimi i tij në praktikë mbetet i mangët. Madje, ndër shkelësit kryesor të tij po del të jenë pikërisht ata që janë të mandatuar për mbrojtjen e ligjshmërisë – prokurorët dhe gjyqtarë, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Krerë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, kanë vazhduar të mbajnë nga dy (2), tre (3) apo deri gjashtë (6) pozita njëkohësisht dhe për të njëjtat të marrin edhe mijëra euro shtesa, krahas pagave të majme që të njëjtit kanë.

Sipas deklarimeve të pasurisë, 76% e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë deklaruar se në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit kanë pranuar shtesa të ndryshme nga burimet e ndryshme, përveç pagave të tyre bazë. Këto shtesa, anëtarët në fjalë i kishin marrë për punë që rëndom i kanë kryer gjatë orarit të tyre të rregullt të punës.

Gjithashtu, anëtarë të KGJK-së, kishin vazhduar të ushtrojnë edhe detyra tjera publike për të cilat janë shpërblyer me pagesë, ndonëse edhe Ligji për KGJK, ia ndalon kryesuesit dhe anëtarëve të KGJK-së të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë.

Madje, KGJK ka nxjerrë edhe rregullore ku anëtarëve të vet që janë gjyqtarë me orar jo të plotë, u garanton shtesa krahas pagës së tyre bazë. Ky normim i shtesave të kundërligjshme, bie ndesh edhe me vet Ligjin për KGJK i cili parasheh kompensim vetëm për anëtarët jo-gjyqtarë të KGJK-së që nuk janë me orar të plotë.

Ngjashëm situata paraqitet edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Nga 18 anëtarë e ish-anëtarë të KPK-së të cilët janë analizuar për këtë raport, del se 72% apo 13 prej tyre kanë deklaruar se kanë pranuar shtesa e kompensime të ndryshme, krahas pagave bazë, sipas deklarimeve të tyre të pasurisë. Edhe anëtarët e këtij Këshilli, këto shtesa – që në disa raste arrijnë deri në mijëra euro, i kanë marrë në kundërshtim me ligjin dhe për punë e detyra që i kanë kryer gjatë orarit të rregullt të punës.

Përveç mbajtjes së funksioneve të shumëfishta dhe pranimit të shtesave të ndryshme – në pjesën më të madhe të tyre të kundërligjshme – anëtarë të KGJK-së dhe KPK-së kishin shpërfillur edhe dispozitat tjera të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Gjyqtari Armend Berisha, kishte kandiduar dhe pastaj ishte zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë, vetëm rreth tetë (8) muaj pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit në KGJK. Një gjë të tillë ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Njëjtë kishte vepruar edhe ish-anëtarja e KPK-së, Dëshirë Jusaj, por për dallim nga gjyqtari Berisha, e njëjta nuk kishte arritur të zgjidhej kryeprokurore e Gjakovës. Pasi konkursi i parë për kryeprokuror të Gjakovës kishte dështuar, prokurorja Jusaj sërish kishte kandiduar për kryeprokurore në konkursin e ri-shpallur dhe kjo kandidaturë e saj, kundërligjshëm është konfirmuar nga KPK.

Në mënyrë të kundërligjshëm ishte avancuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe prokurori Bahri Hyseni, vetëm disa javë pasi të njëjtit i kishte skaduar mandati si kryesues në KPK. Hyseni ishte transferuar në ZKSH, me një vendim të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Ky i fundit, edhe gjatë vitit 2020, përveç pozitës së kryeprokurorit të shtetit, kishte vazhduar të mbajë edhe dy pozita tjera udhëheqëse, duke vepruar kësisoj në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Një pjesë e anëtarëve të të dy Këshillave, kanë deklaruar të hyrat e tyre duke mos i ndarë ato sipas shumës, llojit apo burimit të të hyrave, por duke i paraqitur të gjitha së bashku. Në këtë mënyrë, të njëjtit nuk kanë deklaruar të ardhurat në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, dhe rrjedhimisht ia kanë pamundësuar publikut të dijë se sa nga të ardhurat e tyre kanë qenë pagë e sa të tjera, shtesa, mëditje apo kompensime.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, IKD i rekomandon KGJK-së dhe KPK-së që në pajtim me obligimet që dalin nga Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, të sigurohen që gjyqtarët dhe prokurorët të mos marrin kompensime shtesë gjatë orarit të punës, dhe në raste kur kjo nuk zbatohet mekanizmat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të iniciojnë procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu, IKD i rekomandon KGJK-së dhe KPK-së që të bëjnë plotësim/ndryshimet në legjislacionin e tyre sekondar ashtu që të ndalojnë pagesat shtesë për angazhimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në komisione gjatë orarit të rregullt të punës, në mënyrë që të harmonizohen këto rregulla të brendshme me kornizën ligjore e kushtetuese në Kosovë, përfundon raporti i IKD. /Telegrafi/

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles