Ideja e Thaçit për bashkimin me Shqipërinë nuk konsiderohet serioze

0
15

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ka promovuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, tani ka filluar me promovimin e diçkaje më ambicioze – bashkimin kombëtar.

Por këto ide të presidentit të Kosovës, nuk po i vlerëson seriozisht partia opozitare Vetëvendosje, e cila në programin e saj politik  tash e sa vite ka bashkimin kombëtar.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin konsideroi se ideja e presidentit Thaçi për bashkimin me Shqipërinë është vetëm për konsum dhe balancim ndaj të këqijave që i ka bërë Kosovës.

“Presidenti Thaçi nuk e ka sinqerisht, as seriozisht dhe as nuk ka plan për bashkimin kombëtar me Shqipërinë. Ai ka plane tjera, ai ka harxhuar kohë të gjatë duke biseduar me Vuçiqin në Bruksel. Prandaj nuk mund të i realizoj planet e veta, sepse është duke pasur i planet e tjerëve”, deklaroi ai.

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu për Telegrafin tha se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një proces kompleks.

“Është çështje e një individi, dhe as një ide e një grupacioni qoftë politik apo shoqëror, është çështje shumë komplekse e një procesi i cili duhet të ketë bazën në një vullnet të plotë dhe të sigurt të më së paku të dy subjekteve politike eventuale, subjekte shtetërorë të cilat dëshirojnë të bashkohen, ne nuk kemi pasur asnjë gatishmëri dhe asnjë deklarim publik ana tjetër nga Shqipëria”, u shpreh ai.

Thaçi: Nëse BE nuk na hap dyert, fillojnë veprimet institucionale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (Video)Thaçi: Nëse BE nuk na hap dyert, fillojnë veprimet institucionale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (Video)

“]

Baraliu theksoi se deri tani nuk ka pasur ndonjë gatishmëri institucionale për bashkimin kombëtar.

“Përveç një subjekti politik që e ka në program me vite të tëra çështjen e bashkimit kombëtar, subjektet tjera nuk kanë ndonjë program, madje as ish-partia e presidentit PDK, nuk e ka pasur bashkimin kombëtar. Ndonëse në synimin e UÇK-së ka qenë lufta që është bërë, që e ka pas synim bashkimin e trojeve shqiptare. Kemi një mendim nga një individ i caktuar që herë flet për diçka dhe herë për diçka tjetër, nuk është diçka që mund të artikulohet në këtë kohë dhe në këtë mënyrë. Prandaj është çështje ideje, është mirë po të ishte synim i sigurt dhe i qartë dhe autentik”.

Baraliu konsideron se bashkimi me Shqipërinë mund të bëhet në forma tjera.

“Bashkimi mund të bëhet edhe në forma tjera, ne kemi probleme serioze të ndryshme tregtare, interesat të grupeve të ndryshme të bizneseve që përkrahen nga politika andej dhe këndej kufiri për të pasur probleme në qarkullimin e mallrave, në qarkullimin e lirë të mallrave dhe të ideve të bashkëpunimit dhe fuqizimit ekonomik. Madje edhe në fuqi të vendimeve,  që herë pas here në mënyrë sipërfaqësore i reklamojnë dy qeveritë duke mbajtur edhe mbledhje të ashtuquajtura të përbashkëta, thjesht janë më shumë folklorike se sa që janë esenciale”.

Ndërkohë, presidenti Thaçi mbrëmë në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjin ka folur për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë duke thënë se kjo mund të bëhet duke nxjerrur Kuvendi i Kosovës dhe i Shqipërisë, ligjin për referendum.

“Këtë mund ta bëjmë çoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, ka deklaruar presidenti Thaçi.