Site icon Prishtinapress

Hyseni: Në MBP kanë qenë 60 ushtrues detyre, tash janë vetëm tre

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka raportuar sot para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit të vitit 2015 për këtë ministri.

Hyseni tha me këtë rast se gjendja në këtë Ministri sa i përket zbatimit të rekomandimeve tani është më mirë, pasi që nga 17 rekomandimet e marra nga Auditori 12 janë adresuar tashmë dhe 5 prej tyre janë në proces.

Duke folur për raportin e Audimit i cili specifikon pozitat që janë udhëhequr me ushtrues detyre, ai tha se në MPB aktualisht janë vetëm tre ushtrues detyre nga mbi  60 sa ishin në vitet e mëhershme.

Ai ka folur edhe për shkëputjen e kontratave mbi vepër që kanë qenë të lidhura kundërligjshëm e që i ka ndërprerë ato posa ka marr pozitën e ministrit.

Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë paraqitur vërejtjet e tyre gjithnjë duke u bazuar në raportin e Auditorit.

Deputeti nga LDK, Ali Sadiru tha se nëse në MPB gjërat janë mirë, në Polici nuk janë edhe aq mirë dhe se sipas tij ka nevojë për një shikim më të detajuar të tyre.

Ndërsa, Enver Hoti nga Nisma tha se Auditori ka vërejtur dobësi sistematike në sistemin e prokurimit veçmas në  Policinë e Kosovës.

“Kjo është përgjegjësi direkte edhe e Ministrisë . Është shmangja nga procedurat e hapura të tenderimit. Procesimi i urdhër-blerjes pas pranimit te faturave. Ka vonesa në realizimin e projekteve dhe vonesa në realizimin e pagesave. Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre po vazhdon në mënyrë permanente. Pagesa e pagës në kundërshtim me vendimet e Qeverisë janë disa çështje që duhet me na dhënë përgjigje”, tha Hoti.

Vërejtje dhe sqarime kërkuan edhe deputetët e tjerë anëtarë të këtij komisioni. /KP/

Exit mobile version