Site icon Prishtinapress

Hoxhaj: Haradinaj është i pafajshëm, sa më parë të kthehet në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konference për media të mbajtur sot ka shpalosur të gjitha veprimet që po ndërmerren për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në arrest në Francë, derisa ka fajësuar shtetin serb se po keqpërdor INTERPOL-in për të ndjekur qytetarët e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një konferencë për meida, tha se autoritetet franceze janë informuar që Serbia nuk ka asnjë juridiksion mbi Kosovën. Duke folur për ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë, Hoxhaj tha se shteti serb, i cili ende po i kultivon politikat e Millosheviqit, po e keqpërdor INTERPOL-in për arrestimin e personaliteteve politike dhe qytetarët e Kosovës. Ministri Hoxhaj paralajmëroi edhe ndryshim të qasjes së dialogut me shtetin serb.

Ai edhe njëherë konfirmoi se ka pasur telefonatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, të cilin e ka informuar në detaje për fletarrestimet e tilla serbe që siç deklaroi, janë të motivuara politikisht.

“Kam kërkuar nga ministri i jashtëm francez që të ndërmarrë çdo gjë që Haradinaj të lirohet sa më parë,pasi që është i pafajshëm”, tha Hoxhaj.

“Ne sot kemi bërë një kërkesë të dytë, duke dëshmuar në detaje që Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën, dhe kemi përmendur një numër të madh të rasteve të ngjashme”, tha ministri i Jashtëm.

Hoxhaj, ndërkaq bëri të ditur se ka bërë kërkesë zyrtare për të udhëtuar në Francë, me qëllim që ta informoj në mënyrë të detajuar homologun e tij francez për ndjeshmërinë e rastit, dhe se Haradinaj të lirohet.

Në anën tjetër, ai tha se autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas vendimit për të mos i dhënë leje presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, që të vizitoj Kosovën për Krishtlindjet Ortodokse.

Moslejimi i kësaj vizite, shihet si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës pas ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Basel nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004.

Sipas tij, Haradinaj paraprakisht i kishte njoftuar zviceranët se do të udhëtonte drejt Bazelit.

Ministri i Punëve të Jashtme ka ftuar partitë politike dhe qytetarët qe të përmbahen pas arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se Kosova ka raporte të shkëlqyera me Francëm dhe këto raporte deklaroi ai, duhet të vazhdojnë.

Kryetari i AAK-së,Ramush Haradinaj është arrestuar të mërkurën në Basel nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004.

Exit mobile version