Site icon Prishtinapress

Hoxhaj bisedon me ministrin e jashtëm të Francës, kërkon mbështetje për lirimin e Haradinajt

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, lidhur me rastin e ndalimit të ish-kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga ana e policisë franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme bëhet e ditur se ministri Hoxhaj e ka informuar në detaje homologun e tij francez për situatën e krijuar duke thënë se flet-arrestimet e Serbisë janë të papranueshme dhe jo valide për qytetarët e Kosovës. Hoxhaj ka thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe përpjekjet e Serbisë janë të motivuara politikisht.

“Kam pasur një bisedë të gjatë telefonike me homologun tim francez, ku i shpjegova situatën e krijuar dhe absurditetin e këtyre kërkesave të Serbisë, që për ne janë të papranueshme. I kërkova mbështetje që z. Haradinaj të lirohet sa më parë dhe besojmë se kjo do të ndodhë. Telefonata është në vazhdën e angazhimeve intensive që po bëjnë institucionet e Kosovës, Ministria e Jashtme dhe shërbimi diplomatik për ta liruar z. Haradinajn”, ka thënë Hoxhaj.

Kujtojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua dje nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Menjëherë pas ndalimit të tij kanë reaguar edhe autoritetet më të larta të Kosovës të cilat e kanë quajtur të paligjshëm ndalimin e tij, si dhe kanë kërkuar lirimin menjëherë të tij.

Exit mobile version