Site icon Prishtinapress

Hoxha me kabinetin e saj, vitin e kaluar shpenzuan rreth 119 mijë euro

Gjatë gjithë vitit 2018 është thënë se fundi i tij, eventualisht fillimi i vitit të ri, do t’i gjejë qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave, njofton Indeksonline.

Mirëpo, kur kjo nuk ndodhi ashtu siç premtuan, udhëheqësja e ministrisë së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, së bashku me kreun e ekzekutivit, Ramush Haradinaj, fajin e hedhën diku tjetër. Te Bashkimi Evropian.

E angazhimet e ministres Dhurata Hoxha, përkundër dështimit, i kushtuan goxha shtrenjtë Buxhetit të Kosovës.

Hoxha së bashku me kabinetin e saj, për 12 muaj kanë shpenzuar rreth 119 mijë euro.

Nga 118 mijë e 974 euro sa shpenzoi gjithsej MIE, më së shumti, apo mbi 55 mijë euro i harxhoi për bileta.

Ndonëse nuk thuhet se për sa fluturime bëhet fjale dhe për destinacionet e tyre, në të dhënat e siguruara nga kjo ministri, bëhet e ditur se më së shumti për bileta ka shpenzuar ministrja Dhurata Hoxha.

Ajo për një vit shpenzoi 16 mijë e 825 euro e 84 cent. Më së shumti para Hoxha shpenzoi në muajin tetor, 2 mijë e 78 euro e 40 cent, pasuar nga muaji maj me 2 mijë e 32 euro e 97 cent.

Ndërsa, më së paku gjatë vitit që lëmë pas, për bileta, ministrja Hoxha shpenzoi në janar, respektivisht 558 euro e 78 cent.

Për dreka e darka, brenda dhe jashtë vendit, shefja e Ministrisë së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka harxhuar hiq më pak se 19 mijë e 472 euro e 30 cent.

Ajo për delegacionet e huaja, gjatë vitit 2018, ndau dhurata në vlerë prej 5 mijë e 173 euro e 90 cent.

Shpenzimet e kësaj ministrie nuk kanë të ndalura me kaq.

Ministrja Hoxha së bashku me zëvendësministrat, këshilltarët dhe asistentët e saj, gjatë vitit të shkuar morën 17 mijë 329 euro e 52 cent, kurse në telefon harxhuan mbi 8 mijë euro.

Kjo ministri për telefon shpenzuan mbi 8 mijë euro ndërsa për karburant 13 mijë e 144 euro.

Exit mobile version