Site icon Prishtinapress

Hoti zotohet për mbështetje ndaj grave, ndan edhe 2 milionë euro për fuqizimin e tyre

Në hapjen e fushatës 15 ditëshe për eliminimin e dhunës ndaj gruas, Qeveria e Kosovës i ka dalë në ndihmë financiare grave në biznes. Në një tryeze të përbashkët sot me gratë, kryeministri Avdullah Hoti, përmes Agjencisë qeveritare për Barazi Gjinore iu ndau 1 milion euro, 115 kopshteve private që udhëhiqen nga gratë. Derisa në kuadër të planit për rimëkëmbje ekonomike, deri në fund të vitit si mbështetje tjetër ndaj grave do të ndahen edhe 1 milion euro tjera.

Kreu i qeverisë, duke shprehur angazhimin e tij për gratë, tha se mbrojta e tyre ndaj dhunës është kauza më fisnike e shoqërisë dhe se ky fenomen duhet të çrrënjoset tërësisht.

“Me gra, me vajza, me motra jemi në shtëpi dhe e dimë sa e rëndësishme është që vajzat, nënat tona kudo që janë, të kenë së pari trajtimin njerëzor, human dhe më pas trajtimin plotësisht të barabartë në shoqëri. Në këtë drejtim nuk do të kursehemi nga asnjë aktivitet që e kemi obligim ligjor, institucional, por edhe njerëzor që të kujdesemi për një shoqëri të barabartë […]është kauza më fisnike e shoqërisë për t’u angazhuar në gjitha format e mundshme edhe të fuqizimit të ligjit edhe nga mbrojtja e grave ndaj dhunës. Por në veçanti në kuadër të këtyre aktiviteteve dhe marrëveshjeve që sot i nënshkruajmë që fuqizojnë pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe ndikojnë në pavarësinë ekonomike dhe financiare të grave. Unë personalisht mendoj se forma më e fuqishme e ndikimit afatgjatë të pozitës së gruas në shoqëri është duke i pavarësuar ato ekonomikisht, financiarisht duke i bërë kontribuuese të barabarta të ardhurave të familjes”, tha ai.

Krahas kësaj, Hoti tha se do t’i mbështesin gratë në biznes dhe ekonomi.

“Marrëveshjet që nënshkruhen sot janë të rëndësisë së shumëfishtë në veçanti për të liruar gratë, prindërit nga nevojat e përditshme familjare. Për t’i dhënë mundësi atyre të mos tërhiqen nga tregu i punës, mos tërhiqen nga ushtrimi i profesionit të tyre. Çdo tërheqje përveç që ka ndikim tek të ardhurat e familjes ndikon sigurisht edhe te aftësia e tyre grave, vajzave që prapë të integrohen në tregun e punës. Jam i vetëdijshëm që kjo pandemi na ka prekur të gjithëve pa përjashtim edhe gratë në biznes, gratë në shtëpi edhe të ardhurat e familjeve tona. Shpresoj që kjo masë sado e vogël që është në shumë prej 2 milionë, prej të cilave 1 milionë ndahen tash menjëherë dhe 1 milionë tjera brenda këtij viti, sado pak do t’i zbut këtë problem”, u shpreh kryeministri Hoti.

Ndërkaq, kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gucia bëri të ditur se kush do t’i përfitojë nga ndihma e qeverisë.

“Vlera totale e dedikuar për Agjencinë për Barazi Gjinore që ajo të translokojë, të bartë në atë sektor që afektojnë më shumë gratë, sot është në vlerë prej 1 milionë euro. Janë 115 çerdhe private në nivel të Kosovës që kanë përfituar prej kësaj ndihme të qeverisë”, tha ajo.

Këtë ndihmë, Gëzime Rexhepi-Kollçaku nga kopshtet private, e quajti si infuzion karshi tyre.

“Me mbylljen e kopshteve private dhe publike në muajin korrik ka qenë një dëm i madh, sidomos i kopshteve private. Akoma jemi duke i ndier pasojat e funksionarit, por ky fond i dedikuar për kopshtet private ka qenë një lloj ndihme dhe infuzioni”, tha ajo.

E parafolësve, kryeministri Hoti duke ia shprehur mbështetjen ndaj grave, iu tregojë edhe stafin e zyrës së tij që përmbahet nga gratë.

“Besoj dhe mundohem që të jem mbështetës i madh i kësaj kauze, brenda zyrës kam avokat bukur të fuqishëm prej zonjës Gucia, sigurisht, zëvendëskryeministri, shefja e stafit që është këtu, Ardita, shefja e kabinetit, Marigona, edhe Antigona Baxhaku. Promovuese dhe avokuese të kësaj kauze”, shtoi ai.

Fushata ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas fillon më 25 nëntor dhe përfundon me 10 dhjetor./KP/Telegrafi/

Exit mobile version