Site icon Prishtinapress

Hoti tregon gjendjen me COVID-19 në Kosovë, thotë se po përgatisin masat për festat e fundvitit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke folur për gjendjen me Covid-19 në vendin tonë, ka thënë se në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%, derisa ka shtuar se do ta monitorojnë situatën dhe mbikëqyrin zbatimin e masave.

Sipas tij, institucionet shëndetësore do të mbesim të mobilizuara. Ndërsa, ka njoftuar se po përgatisin skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.

Hoti ka shkruar në Facebook se kumri i pacientëve është sot është 874, të shtrirë nëpër klinika në Prishtinë dhe në spitale rajonale. Kurse, duke u ndalur te gjendja nëpër shkolla, ka shkruar se të dhënat tregojnë se nga rreth 11 mijë arsimtarë që janë testuar, 15% kanë rezultuar pozitiv, ndërkaq nga rreth 7 mijë nxënës të testuar 17% kanë rezultuar pozitiv.

Kjo sipas tij, është arsyeja e vendimit të Qeverisë për të mbyllur shkollat më 18 dhjetor.

Postimi i plotë i Hotit:

“1. GJENDJA ME COVID

Nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 162 mijë raste, prej të cilëve rreth 46 mijë (28%) kanë rezultuar pozitiv. Rreth 70% e të prekurve me virus janë shëruar. Fatkeqësisht, me fatalitet kanë përfunduar 1,186 raste. Shkalla e vdekshmërisë është 2.5%.

Institucionet shëndetësore kanë bërë të pamundurën gjatë kësaj kohe. Rekomandimi i tyre mbetet i njëjtë: për respektim të masave të distancimit fizik, për bartje të maskës, për pastërti të shtuar. Rrugë tjetër nuk ka derisa nuk vaksinohet një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.

Në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%. Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve.

Nga vlerësimi i bërë të premten e shkuar, 16 komuna janë në zonën e kuqe, 9 janë në zonë të verdhë dhe 13 në zonë të gjelbër.

Krahasuar me javën paraprake, në 5 komuna ka përmirësim dhe ato kanë kaluar nga zona e kuqe në zonën e verdhë (Pejë, Vushtrri, Shtime, Ferizaj dhe Viti). Ndërkaq, 7 komuna janë përmirësuar nga zona e verdhë në zonën e gjelbër (Klina, Hani i Elezit, Skënderaj, Partesh, Rahovec, Prizren dhe Ranillugë).

Për të mbajtur gjendjen nën kontroll, duhet të respektojmë masat. Në funksion të kësaj, kemi vendosur të përfundojmë gjysmë vjetorin e parë të shkollës më datë 18 dhjetor. Kjo do ta ulë ndjeshëm frekuentimin e qytetarëve. Kjo masë është bazuar edhe në faktin se, krahas mjekëve dhe infermierëve, si dhe policëve, që janë më së shumti të infektuar pasi kanë kontakt të drejtpërdrejt, mësimdhënësit janë gjithashtu mjaft të prekur. Të dhënat tregojnë se nga rreth 11 mijë arsimtarë që janë testuar, 15% kanë rezultuar pozitiv, ndërkaq nga rreth 7 mijë nxënës të testuar 17% kanë rezultuar pozitiv. Kjo është arsyeja e vendimit të Qeverisë për të mbyllur shkollat më 18 dhjetor.

Deri më 18 janar 2021, kur shkollat hapen prapë, spitalet tona do të jenë më pak të ngarkuar për të përballuar fluksin e pacientëve që kërkojnë shërbime spitalore.

Ne duhet të ruajmë sistemin tonë shëndetësorë. Po bëjme perpjekje maksimale të përballojmë fluksin e pacientëve të prekur nga COVID. Prandaj, me rekomandim të IKSHP-së dhe organizatave relevante ndërkombëtare, duhet të mbajmë masat dhe të forcojmë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Duhet të evitojmë takimet shpërndarëse të virusit, siç janë tubimet publike, ceremonitë e ndryshme etj. Në veçanti duhet respektuar masat elementare: distanca fizike, maska dhe pastërtia e duarve dhe mos përshëndetja me duar.

2. VAKSINA ANTI-COVID

Po punojmë shumë në sigurimin e vaksinës. Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to.

IKSHP po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna. Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në ballë të kësaj beteje.

3. GJENDJA NË SPITALE

I gjithë stafi shëndetësorë është mobilizuar dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Numri i pacientëve është sot është 874, të shtrirë nëpër klinika në Prishtinë dhe në spitale rajonale. Ne duhet tu japim atyre gjithë mbështetjen e nevojshme institucionale (të cilën gjë po e bëjmë) dhe morale e publike. Kritikat e drejtuara ndaj tyre janë të pavend dhe të papranueshme. Vetëm ata që janë përballur me virusin dhe kanë kërkuar shërbime spitalore, e kuptojnë se çfarë pune po bëjnë mjekët dhe infermierët tanë. Sigurisht se ka probleme teknike me shtretër të mjaftueshëm dhe adekuat, apo me furnizim të plotë me barna, ose vështirësi në furnizimin me oksigjen. Por, këta profesionistë po bëjnë punë kolosale për gati një vit pa ndërprerë.

Pavarësisht kësaj situate, SHSKUK po bënë të pamundurën për të ofruar shërbimet bazike shëndetësore. Sipas të dhënave, vetëm deri në shtator janë trajtuar 93 mijë pacientë të shtrirë në spitale, janë kryer 21 mijë operacione, janë ofruar 726 mijë vizita ambulatore, janë kryer 2.1 milion shërbime laboratorike, janë kryer 195 mijë shërbime radiologjike, janë kryer 90 mijë shërbime të dializës dhe plotë shërbime të tjera.

4. PARASHIKIMET DHE PRIORITETET NË JAVËT NË VIJIM

Do të monitorojmë situatën dhe mbikëqyrim zbatimin e masave. Do të punojmë ngushtë me komunat dhe me të gjitha grupet për të kërkuar bashkëpunim dhe respektim të masave. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj qytetarët për respektimin e masave dhe i lus të respektojnë këshillat e mjekëve.

Institucionet shëndetësore do të mbesim të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.

Do të punojmë shumë në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinën.

Na duhet mbështetja e secilit qytetar për të fituar këtë betejë”, ka shkruar Hoti.

Exit mobile version