Site icon Prishtinapress

Hoti: Serbia të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë sot se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Hoti në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit tha se bota e dinë mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, kush ka qenë agresori e kush viktima.

Lexoni të plotë postimin e Hotit:

“Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, i nderojmë me pietet të gjithë civilët e pafajshëm, kudo në botë.

Sot, si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99.

Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar.

Duke e mbajtur përherë në kujtesë, tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”.

Exit mobile version