Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria ka marrë dritën jeshile për implementimin e programit për rimëkëmbje ekonomike, kjo pas miratimit të vendimin për “tejkalim të rregullave fiskale”.
Hoti ka thënë se ai me ministrat e tij do të angazhohen në gjithë resorët shtetërorë për t’i futur mbi 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës.
“Me miratimin e vendimit për “Tejkalim të rregullave fiskale” nga Kuvendi i Kosovës, ne si Qeveri sot kemi marrë dritën jeshile për implementimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike. Gjatë viteve 2020 – ’21, me ministrat e kabinetit tim, do t’i angazhojmë të gjithë resorët shtetërorë për t’i futur mbi 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës. Ashtu sikur shumica e vendeve të BE-së të prekura nga #COVID19, edhe ne e kemi ndjekur rregullin e rritjes së deficitit buxhetor, në mënyrë që të garantojmë qëndrueshmëri financiare”, ka shkruar ai.
“Bashkë me kabinetin do të sigurohemi që ky program ekonomik e social të jetë gjithëpërfshirës, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, ka thënë më tej.