Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në javën e parë të punës në Qeveri kanë dhënë sinjal të përkushtimit, punës e partneritetit, ku tha se pret edhe nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar me opozitën për dialogun.
Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë kësaj jave po ashtu i ka ftuar miqërisht dhe institucionalisht edhe opozitën për konsensus politik.
“Java jonë e parë e shërbimit në Zyrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte një sinjal i qartë i përkushtimit, punës dhe partneritetit. E kemi bërë bërë publik projektin tonë për rimëkëmbje ekonomike, si dhe për luftimin e COVID-19. Po ashtu, e kemi bërë publik para opinionit, partnerëve të koalicionit dhe atyre ndërkombëtarë platformën tonë për dialogun me Serbinë. I përkushtuar për konsensus politik, ftova miqësisht dhe institucionalisht opozitën. I falënderoj partnerët e koalicionit për përkushtimin në këtë proces dhe vullnetin e tyre për bashkërendim. Në anën tjetër, pres nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar e bashkërenduar veprimet e qëndrimet e shtetit të Kosovës lidhur me dialogun në të ardhmen. Përkushtimi ynë për të promovuar subjektivitetin e vendit dhe për të ruajtuar integritetin e tij janë synime të përbashkëta që ndajmë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”, shkruan Hoti.
Hoti thotë se takimet me ambasadorët e Quintit dhe bisedat me administratën Trump në Uashington, me Brukselin, Berlinin e Parisin, ishin hapi i parë, për të kthyer në normalitet marrëdhëniet sipas tij, të dëmtuara jo pak në të shkuarën e afërt.
“Takimet me ambasadorët e Quintit si dhe bisedat telefonike konstruktive e të hapura me administratën Trump në Washington, me Brukselin, Berlinin e Parisin, ishin hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, për të kthyer në normalitet marrëdhëniet tona të dëmtuara jo pak në të shkuarën e afërt. Në ditët në vazhdim të gjithë do të shohim një energji të re të Qeverisë për të ndalur rënien ekonomike dhe për ta nxjerr atë në bregun e normalitetit dhe përparimit, një përkushtim për të promovuar dhe monitoruar masat anti-COVID, të cilat janë jetike për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ekonomisë, si dhe një vullnet për të ulur heshtat e luftës së pakuptimtë politike, e cila çdo ditë e më shumë po kthehet qëllim në vetvete e jo në mbrojte të interesit qytetar.Qëllimi ynë është kthimi i NORMALITETIT dhe ZHVILLIMI. E për këtë na duhet shumë punë e përkushtim”, shkruan Hoti. /Telegrafi/