Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se gjendja me pandeminë COVID-19, është sikur situatë e luftës, duke u përballur çdo ditë me rrezik të madh dhe me viktima.
Këtë deklaratë Hoti e bëri pas vizitës së tij në Klinikën Infektive, transmeton Telegrafi.
“Kjo situatë praktikisht është sikur e luftës duke u përballur çdo ditë me rrezik të madh, me viktima. Duhet ta rrisim efikasitetin në punë për të përmirësuar gjendjen. Falënderoj të gjithë mjekët, të gjitha ata që janë në përballje me pandeminë që tetë muaj. I përgëzoj për punën e jashtëzakonshme. Në valën e dytë ne duhet të ngritim nivelin e angazhimit, në mënyrë që ta menaxhojmë sa më mirë pandeminë. Jemi duke bërë përpjekje maksimale të furnizojmë klinikat me oksigjen, të angazhojmë mjekët, të bëjmë një punë ekipore. Do të bëjmë çdo gjë si Qeveri”, deklaroi Hoti para mediave.
Kryeministri Avdullah Hoti vizitën në Klinikën Infektive e ke realizuar së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Theksojmë se gjatë ditës së mërkure, Hoti ka prezantuar masat e reja antiCovid që pritet të votohen në mbledhjen e radhës së Qeverisë, ndërsa në fuqi pritet të hyjnë ditën e premte./Telegrafi/