Site icon Prishtinapress

Hoti: Nuk kemi asnjë obligim ndaj PDK-së për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është deklaruar sërish lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Ai në një konferencë për media pas takimit me Odat ekonomike në Kosovë ka folur rreth një marrëveshje të mundshme me partitë politike për gjetjen e konsensusit rreth kandidatit për të parin e vendit.

I pyetur nga mediat për ndonjë strategji dalës nga kriza politike, kryeministri Hoti tha se strategjia dalëse është Kushtetuta e Kosovës.

“Strategjia dalëse prej kësaj situate është Kushtetuta e vendit. Janë dy rrugë, ka konsensus për zgjedhje të presidentit, mirë. Nuk ka konsensus, shkojmë në zgjedhje dhe nuk ka nevojë për ndërtim të një qasje apo strategjie të re. Ne po presim, kemi bërë kërkesë disa herë. Jemi duke bërë përpjekje që t’i bëjmë partitë politike bashkë në një tryezë për të parë vullnetin e tyre për të tejkaluar këtë situatë. Unë bëj ftesë edhe sot që të tregojmë maturitetin e nevojshëm shtetëror për të tejkaluar situatën”, tha Hoti.

Ai ka bërë të ditur se për votimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk është bërë asnjë marrëveshje me PDK-në dhe se nuk ka asnjë obligim ndaj këtij subjekti, përveç asaj që janë pranuar amendamentet për këtij ligj.

“Për Ligjin për rimëkëmbje nuk është marrë asnjë obligim dhe asnjë marrëveshje. Janë pranuar amendamente nga një parti opozitare, nga PDK-ja, i kemi marrë parasysh ato dhe është votuar Ligji për rimëkëmbjen. Kaq, asgjë përtej kësaj nuk ka”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për mungesën e Listës Serbe në Kuvend, duke thënë se kjo çështje do të adresohet në ditët dhe javët e ardhshme në përputhje me marrëveshjen e koalicionit.

Exit mobile version