Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se ka marrë pjesë në samitin virtual të partneritetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Këshilli Atlantik, qendër e politikës së jashtme me seli në Uashington.
Pjesëmarrës në këtë samit ishin edhe liderët e tjerë nga Ballkani Perëndimor, përkatësisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Në këtë samit, në të cilin u diskutua për bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, si dhe për projektet ekonomike të Ballkanit Perëndimor që do të financohen nga SHBA-të dhe BE-ja, pjesëmarrës ishin edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Hoti, gjatë fjalimit të tij, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për Ballkanin Perëndimor dhe zotimin e Republikës së Kosovës për intensifikimin e këtij bashkëpunimi si partner i barabartë me vendet e tjera të rajonit.
Me këtë rast, ai potencoi rëndësinë e tregjeve unike në rajon, eliminimin e barrierave tregtare, funksionimin e lirive të lëvizjes dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit rajonal.
Më tej Hoti, gjithashtu, theksoi se Kosova tashmë i ka dërguar në BE projektet rajonale të infrastrukturës dhe realizmi i tyre do të krijonte një zhvillim të qëndrueshëm për rajonin.
Ndryshe, në samit po marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq, kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH Zoran Tegeltija, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë Veriore Stevo Penderovski dhe zëvendës-presidenti ekzekutiv i Këshillit Atlantik Damon Wilson.