Site icon Prishtinapress

Hoti në Forumin e Sigurisë: Prania e NATO-s në Kosovë, thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi sot se dialogu i lehtësuar nga BE-ja përbën mënyrën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjatë forumit online mbi sigurinë ka folur për marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin ekonomik, duke thënë se është një marrëveshje historike dhe fillimi i një procesi historik të arritjes së marrëveshjes finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton edhe njohjen reciproke.

“Kosova është e gatshme për këtë marrëveshje. Kosova gjithmonë ka zgjedhur dialogun për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë. Ne besojmë se dialogu është një vlerë evropiane”, tha Hoti.

Duke folur për çështjen e bashkëpunimit rajonal të sigurisë, kryeministri Hoti tha se Kosova ka qenë aktive në argumentimin se asnjë vend në rajon nuk duhet të mbetet neutral ndaj kërcënimeve të jashtme ndaj BE-së dhe shteteve të saj anëtare.

“Kosova ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në të gjithë mekanizmat rajonalë të sigurisë. Kjo bazohet në vizionin tonë afatgjatë të integrimit euro-atlantik. Kosova aspiron për anëtarësim në NATO dhe duam të bëhemi eksportues i sigurisë. Në ndërkohë, prania ushtarake e NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Hoti.

Kryeministri Hoti ka folur edhe rreth raporteve ndërmjet shteteve në rajon, duke thënë se ndryshimet kanë qenë të mundshme falë mbështetjes së jashtëzakonshme që BE dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë rajonit përmes procesit të zgjerimit të BE-së dhe ndihmës financiare e politike.

“Ndërveprimi midis qeverive, njerëzve dhe tregtisë është rritur, gjë që është një shenjë e qartë e një të ardhme premtuese. BE dhe Shtetet e Bashkuara meritojnë merita për këtë transformim dhe për lehtësimin e zgjidhjes paqësore të shumë çështjeve dypalëshe të pazgjidhura”, u shpreh ai.

Exit mobile version