Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit”.
Postimi i plotë i Hotit:
“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.
Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.
Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka shkruar Hoti.