Site icon Prishtinapress

Hooper u përgjigjet akuzave se Thaçi i emëroi si këshilltarë dëshmitarët potencialë të Speciales

Pretendimet e kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i punësoi si këshilltarë dëshmitarët e mundshëm të Gjykatës Speciale, i ka hedhur poshtë avokati i ish-drejtorit politik të UÇK-së, David Hooper.

Hooper në kërkesën për lirimin me kusht të klientit të tij, të cilën ia ka dërguar gjykatësit Nicolas Guillou, e ka përmednur edhe emërimin e ish-komandantëve të UÇK-së, Sylejman Selimi e Rrustem Mustafa, të cilët janë përmendur edhe në kërkesën e kryeprokurorit Smith në kërkesën e tij për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit.

“Në lidhje me emërimin e Z. Syleman Selimi si këshilltar qeveritar. Çështja është e thjeshtë: nuk kishte asnjë lidhje me z. Thaçi. ZPS nuk sugjeron ndryshe. Z. Selimi u emërua nga ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj. Emërimi i tij u bë në mënyrë të pavarur dhe pa njohuritë e z. Thaçi”, thuhet në kërkesën e Hooper.

Ai më tej flet edhe për emërimin e Rrustem Mustafës si këshilltar, për të cilin thotë se Thaçi u kishte dhënë përgjigjje hetuesve edhe gjatë intervistimit të tij në Hagë.

“Për sa i përket Z. Mustafa, Z. Thaçi e ka shpjeguar gjerë e gjatë gjatë intervistimit të tij nga ZPS, ka dhënë detaje të ndryshme në lidhje me emërimin e Z. Mustafa dhe se ku ishte përgjegjësia për njoftimin për emërimin e tij”, shkruan Hooper.

Po kështu, në kërkesën e Hooper shqyrtohet edhe emërimi i Driton Lajçit në krye të Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Sipas pretendimeve të kryeprokurorit Smith, Lajçi u kishte shërbyer vetëm interesave të Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Sa i përket paragrafëve 10 dhe 11, nuk ka asnjë provë që Driton Lajçi ishte emëruar si Shef i Divizionit nga, ose me urdhër të Z. Thaçi, i cili ishte nuk ishte as i informuar para emërimit. Emërimi i Z. Lajçi ishte një vendim publik, i justifikuar për arsye racionale dhe legjitime”, thuhet në parashtresën e avokatit britanik.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë kishte përdorur akuza të rënda, tjera nga ato që përmenden në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në kërkesën që ia kishte dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou, që ai ta urdhëronte arrestimin dhe transferimin për në paraburgim të katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së. Prokurori i Specializuar, Jack Smith, në këtë kërkesë ka pretenduar se ndër tjerash, Thaçi i kishte punësuar Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën si këshilltarë të tij, duke iu dhënë paga të majme për t’u siguruar që ata do t’i qëndronin në krah gjatë marrjes në pyetje përballë hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët e mundshëm, duke përfshirë anëtarë të emëruar të NPK-së, kanë përfshirë gjithashtu punësimin e tyre në poste qeveritare. Sylejman SELIMI doli nga burgu më 25 janar 2019 dhe u ftua menjëherë me një thirrje të ZPS-së më 29 janar. Brenda 72 orëve nga thirrja, ai u punësua si ‘këshilltar’ qeveritar. Pas një pakënaqësie publike, SELIMI u lirua nga detyrat e tij menjëherë pas intervistës së tij në ZPS në shkurt 2019, por jo para se të merrte mbi 15,000€ pagë për të mos bërë asgjë në vazhdim. Në të njëjtën kornizë kohore, ishte anëtari i NPK-së, Rrustem MUSTAFA ai që u intervistua nga ZPS në janar 2019. Më 14 shkurt, THAÇI e punësoi atë si këshilltar me një pagë prej 18,000€ në vit – asnjëra prej tyre nuk u shpalos publikisht derisa u zbulua në një raport të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

Në këtë që prokurori Smith pretendon se ka qenë plan i mirëkoordinuar, e përfshin ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Abelard Tahirin, që e kishte emëruar Driton Lajçin udhëheqës të këtij organi.

Exit mobile version