Site icon Prishtinapress

“Homo digitalis” nuk ka pse të ikë nga vetja, duhet ta gjejë paqen me veten

Po të shikohen pasojat pasojat momentale që e kanë goditur fejsbukun, pas zbulimit të manipulimit të kompanisë Kembrxh Analitica me identitetet e pesëdhjetë milionë njerëzve në SHBA, ato duken shokuese, pasi mbi gjashtëdhjetë miliardë është vlera e rënies së aksioneve. Poashtu disa milionë njerëz kanë hequr dorë nga fejsbuku.

Kriza më e fundit nëpër të cilën po kalon fejsbuku, si pasojë e manipulimit me identitetin e pesëdhjetë milionë njerëzve në SHBA nga ana e Kembrixh Analitica, në kuadër të fushatës së presidentit amerikan Donald Trampit, ka rikthyer sërish vëmendjen e njerëzve jo vetëm lidhur me manipulimet e kësaj natyre, po edhe më shumë lidhur me raportin/varësinë e njerëzve nga interneti dhe produktet e tij. Ftesat për t’u shkëputur nga shërbimet e fejsbukut, kanë gjetur njëfarë përgjigjeje, por ajo është larg nga caku, ku do të dërrmohej prestigji i fejsbukut si rrjet global dhe varësia prej tij, kur shërbimet e tij i marrin ende aktivisht dy miliardë e dyqind milionë njerëz.

Konsumator digjital a “homo digitalis”, apo të dyjat bashkë?

Megjithatë, në këtë pikë, mendimet janë të polarizuara. Fared Zakaria është i mendimit se në versionet e deritashme, të monopolit dhe të të qenit jashtë kontrollit të publikut, fejsbuku po edhe guglli, do të marrin fund, pas këtyre goditjeve. Ai mendon se masat që po mirren në Bashkimin Evropian, po edhe në SHBA, madje edhe në Indi, do të sjellin një situatë të re. “Ndryshimi po vjen dhe ai do ta transformojë botën e teknologjisë. Nëse menaxhohet si duhet, mund të prodhojë tregje më të lirë dhe më shumë fuqizim të individit.” Por, Mark Skot është i mendimit se ”nuk ka shpëtim nga fejsbuku”, pasi ai është i mbrojtur edhe nga patforma të tjera, si Instagrami dhe Fesbuk mesengjeri, që do të thotë se ngado që të sillesh, në një formë do ta kesh të bësh me fejsbukun.

Po të shikohen pasojat pasojat momentale që e kanë goditur fejsbukun, pas zbulimit të manipulimit të kompanisë Kembrxh Analitica me identitetet e pesëdhjetë milionë njerëzve në SHBA, ato duken shokuese, pasi mbi gjashtëdhjetë miliardë është vlera e rënies së aksioneve. Poashtu disa milionë njerëz kanë hequr dorë nga fejsbuku. Por, këto janë pasoja momentale dhe të përkohshme, si një reaksion psikologjik i atyre që ndihen të zhgënyer nga një dashuri e madhe, por të cilës janë të gatshëm t’i kthehen sërish. Fakti që së paku rreth një miliardë njerëz vazhdojnë t’i shohin reklamat e fejsbukut, ia ruan fuqinë e pëcënuar edhe në të ardhmen e afërt. Pse? Ia ruan për arsye se fejsbuku dhe platformat e tjera tashmë i kanë mundësuar njeriut një komunikim shumë më intensiv dhe informacione, të cilat ia lehtësojnë punët dhe ia mundësojnë argëtimin. Përtej këtij raporti praktik, kjo formë komunikimi tashmë ka krijuar edhe një lloj varësie psikologjike e kulturore të individit nga interneti dhe nga format e komunikimit në të, njëfarë internetmanie virulente. Pra, përveç nevojave e interesave, njeriu tashmë ka edhe thjesht një lloj varësie psikologjike e kulturore nga kjo formë e komunikimit, e cila ia ka zëvendësuar deri në njëfarë mase edhe nevojën për raportet familjare, për kinemanë, për teatrin, për librat dhe madje edhe për shkollën. Rrjedhimisht, ky nuk është vetëm “konsumator digjital” si e quan fared Zakaria, po është bërë edhe “Homo Digitalis”, sikundër e emërton David Patrikarakosi. Një shembull karakteristik i varësisë nga interneti është eksperimenti që pati bërë me veten e vet gazetari Paul Miller, i portalit teknologjik, The Verge. Milleri e kishte nisur eksperimentin me veten, i provokuar nga pohimet se “interneti po na bënë të marrë dhe të vetmuar.” Ai thotë: “Desha të dija çka po më bënte interneti, që t’ia ktheja goditjen.” Pas një viti të plotë të abstenimit, Milleri konstatoi se interneti nuk ishte aspak fajtor për problemet e tij. Bile ai ka thënë një deklaratë epike, sipas të cilës më mirë është të kesh në fejsbuk miq të rremë, se sa të mos kesh miq fare. Rikthimi në aktivitetet e plota të punës e të argëtimit në internet e ka bindur se ai është Pauli i vërtetë, i cili “i përket internetit”, e jo ai Pauli që e kalonte kohën shtrirë në krevat, gjatë agjërimit nga interneti. “ E kisha në plan ta braktisja internetin, që ta njihja Paulin e vërtetë, dhe të vija në komunikim me jetën e vërtetë, por Pauli i vërtetë  dhe bota e vërtetë janë të lidhura në mënyrë të pandashme me internetin”, ka deklaruar “zbuluesi” i vetes së vërtetë, të pandarë nga interneti.  Kjo pandarësi nga interneti, ilustrohet edhe me këto shifra: brenda vetëm një minute, në internet plasohen më shumë se dyqind milionë imejla, një milionë e treqind mijë video në You Tube dhe shikohen rreth 6 milionë faqe në fejsbuk. Edhe numri i aparateve me qasje në internet, tashmë është i përafërt me numrin e njerëzve që jetojnë në planetin tonë. Prandaj, njeriu i sotëm është edhe konusmator digjital por edhe “njeri digjital.”

Ikja nga realiteti nuk është kurrfarë zgjidhjeje

Po qe se i besohet përvojës së një gazetari të fushës së teknologjisë së informacionit dhe shifrave të tilla, zgjidhje nuk është largimi nga interneti e as nga platforma të caktuara, sepse tashmë ne i përkasim kësaj kohe e kësaj fryme. Ne thjesht nuk kemi as ku të arratisemi nga kudondodhja e internetit dhe e produkteve të tij. Sikundër dihet, njëra nga karakteristikat e postmodernizmit është ndikimi i madh i medieve në jetën e përditshme të njerëzve. Akbar Ahmedi në studimin e tij, “Postmodernizmi dhe Islami” pohon se “postmodernizmi bashkekziston dhe përkon me epokën e medias. Në shumë drejtime të gjithanshme, media është tipari qendror dinamik, Zeitgeist-i, përcaktues i postmodernizmit.” Pra, edhe po ta shikosh nga një përvojë personale si ajo e Paul Millerit, edhe po ta shikosh nga aspekti thjesht teorik, njeriu postmodern është i varur nga media, nga komunikimi, nga bota shumëngjyrëshe virtuale, që ofrohet me anën e internetit. Me një fjalë, ikja nga ky realitet, nuk është kurrfarë zgjidhjeje. Prandaj, zgjidhjet duhet të kërkohen në një drejtim tjetër, në gjetjen e mënyrave të duhura të bashkëjetesës së dobishme e paqesore me “me veten tonë të vërtetë”, që është i varur edhe nga interneti. Në këtë kontekst, që në krye të herës duhet të bëhet përpjekje që prirjet dhe devijimet autodestruktive dhe ato sociopatologjike të individëve dhe të grupeve sociale të luftohen e të mposhten në jetën reale, pa u dhënë mundësinë që ato të na përfaqësojnë edhe në komunikimin në internet. Luftimi i këtyre prirjeve mund të bëhet me anën e përmirësimit të moralit të individit dhe në shoqëri, me përmirësimin e arsimit publik dhe me rritjen e efikasitetit të kuadrit ligjor përkatësisht të mbrojtjes ligjore për participuesit jokorrekt në komunikimin në internet. Nëse do të kishte përmirësime në këto tre drejtime, moralit, arsimit e ligjshmërisë, atëherë komunikimi në internet do të ishte më paqesor, më miqësor dhe më i dobishëm për të gjithë konsumatorët. Por, deri sa të arrihen këso përmirësimesh, të cilat më botën konfuze në të cilën jetojmë tingëllojnë bukur utopike, veçmas dy të parat, kuadri ligjor mund të përshtatet e të funksionalizohet më shpejt, përfshirë këtu edhe vetërregullimin e platformave. Në këtë kontekst, do të duhej që rregullimi ligjor që ka përfshirë penalizimin e aktiviteteve terroriste në internet, të përshtatet edhe për format e tjera të komunikimit të deformuar e të dhunshëm, natyrisht në pajtim me pasojat që llogaritet se shkaktojnë. Kësisoj sulmet ad hominem, që nga shpifjet, thashethemet dhe intrigat, të cilat nuk e kanë vendlindje internetin, duhet të marrin një përgjigje konkrete ligjore. Ndonëse ato kanë ekzistuar që kur mbahet mend dhe kanë prodhuar çrregullime në komunikim dhe në raportet ndërmjet njerëzve, tash në internet janë më të strukturuara, më të orkestruara, të planifikuara, e jo si shpërthim emocional i momentit. Si të tilla, ato kanë më shumë fuqi rrënuese mbi jetën e individëve, që bëhen cak i sulmeve të kësaj natyre. Fushatat denigruese e linquese në internet, veçmas në fejsbuk, përnga efektet propaganduese u konkurojnë histerizmave të dikurshme bizantine, pogromeve propagandistike bolshevike dhe poshtërimeve publike, të realizuara në kuadër të Revolucionit Kulturor Kinez. Këto fushata denigruese e linquese, sot për sot nuk shoqërohen me ngulje në hunj, me copëtim gjymtyrësh me karroca, me tërheqje zvarrë shesheve, por shoqërohen me thyerje shpirtërore të viktimave. Nëse nuk i vihet një digë kësaj forme të re të shpërthimeve histerike kolektive, që atakojnë shpirtin e njeriut, një ditë mund të ndodhin edhe linqimet dhe pogromet fizike. Është shumë ilustrues rasti i cicerones Lindsey Stone, e cila për një publikim të një fotoje, ku vuri paksa në lojë patriotizmin amerikan, duke bërë foto pranë flamurit e veteranëve me gishtin e mesëm të ngritur lart, nga turma e padukshme po shumë histerike e fejsbukut, u shpall armik numër një i shtetit në SHBA. Pas asaj fushate ajo u përjashtua edhe nga puna e iu ekpsozua për një kohë sulmeve ditore në jetën sociale, gjë që e futi një një depresion të rëndë, pra thjesht e sëmurën. Por nuk është as i vetmi dhe as më dramatiku. Me mijëra njerëz u ekspozohen çdo ditë sulmeve dhe etiketimeve të shëmtuara, veçmas në fejsbuk, pa pasur mundësi të mbrohen, të shpjegohen përballë turmave të padukshme të histerizuara, që dinë të bëjnë edhe thirrje për vrasje. (…)

Bullizmi, vampingu, frika dhe paniku

Përderi sa tek të rriturit, konfliktet janë më të forta në jetën reale dhe ato pastaj i sforcojnë ulërimat në jetën virtuale, problem më alarmant në internet, bile më shumë si produkt i tij, se sa i jetës reale, paraqet përdorimi i komunikimit të dhunshëm ndërmjet fëmijëve në internet. Ata kanë shkallë minimale konfliktualiteti në jetën reale, ndërsa e sforcojnë në komunikimin virtual dhe tjetra, për shkak të moshës, i menaxhojnë shumë vështirë pasojat e komunikimit të dhunshëm në internet. Prandaj, bullizmi është bërë më shqetësues, për shkak të pasojave nganjëherë fatale që shkakton tek fëmijët dhe adoleshentët. Kjo ndodhë sepse sipas disa hulumtimeve, ndër të cilat më i rëndësishmi është ai që është realizuar nga Digital Lives, me kërkesë të Gugllit dhe të Vodafonit, moshat e reja nuk e ndajnë qartësisht botën reale nga bota virtuale. Mbase për këtë arsye, ata edhe sulmet në komunikimin virtual i përjetojnë si të ishin sulme në jetën reale, gjë që shkakton frikë e panik. Edhe vampingu, si një fenomen i ri, që ka të bëjë me të rinjtë që rrinë natën vonë të angazhuar në rrjete sociale, për t’u dukur më in në raport me bashkëmoshatarët, e ka brenda vetes tharmin e të përjetuarit të botës virtuale si botë reale dhe rrezikun që varësia nga interneti të bëhet patologjike. Natyrisht edhe kjo ka të bëjë me një shkallë të tjetërsimit në jetën reale, që nga familja, shkolla e bashkësia, sepse po të mos kishin atë shkallë të tjetërsimit në raport me jetën konkrete dhe me shoqërinë, nuk do të investonin gjithë energjinë përkatësisht entropinë e tyre në komunikimin vampingist në rrjetet sociale. Por, varësia prej vampingut pastaj ua shumëfishon pasojat. Çështja është edhe më dramatike kur kihet para sysh se tjetërsimi në jetën reale familjare, shkollore e shoqërore, përveç bullizmit e vampingut, ka rrezik ta provokojë edhe përqafimin nga ana e një dore të kësaj kategorie të rinj, të ideve apokaliptike të ekstremizmit dhe të terrorizmit. Edhe në këtë rast, tjetërsimi në jetën reale është shkaku fillestar i orientimit drejt ideve ekstremiste dhe veprimeve terroriste, por interenti dhe platformat e komunikimit në të, mund t’i bëjnë më virulente sjelljet e tyre.

Duhet të kihet para sysh se në të gjitha rastet e tilla, nuk është fjala për “homo digitalisin” e vërtetë, po për një lloj revanshi ndaj tij. Fshehja pas profileve të rreme, pas identiteteve të rreme, e stimulon manifestimin e destruktivitetit në komunikim, për ç’arsye rrjetet sociale po edhe mediet e reja duhet të nxjerrin rregulla që e eliminojnë tërësisht këtë mënyrë të fshehjes së identiteteve. Edhe se nuk janë bërë hulumtime në këtë drejtim, është e mundshme që njerëzit frikacakë e ata me prirje për çrregullime mendore, i përdorin këto maskime më shumë, se sa të tjerët, sikundër që pikërisht të tillët janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve që të atakohen nga idetë ekstremiste.

“Njeriu i ri socialist” si njeriu i shpifur digjital

Lidhur me manifestimin e destruktivitetit në komunikim, me anën e identiteteve të rreme, nëpërmjet keqcitimeve, shifjeve, thashethemeve dhe intrigive,e në rastin tonë shqiptar, ia vlen të mirret në konsiderim edhe trashëgimia nga e kaluara, e cila është e lidhur shumë me oralitetin dhe anonimatin. Informata e bartur nga goja në gojë e nga veshi në vesh,  eshëndërruar në keqcitim, parafrazim de deformim të mesazhit, përshkon historinë më të gjatë të komunikimit ndërmjet ne shqiptarëve. Komunikimet e kësaj natyre nuk kanë pasur autorë, nuk kanë pasur adresë, ashtu që për një ngjarje janë krijuar vazhdimisht më shumë versione, më shumë motërzime, duke e relativizuar dhe maskuar të vërtetën. Ky ka qenë diskursi dominant ndër shekuj, por është prezent edhe në ditët tona dhe jo pa ndikim edhe në komunikimin në internet. Marshall McLlluhani ka gjetur se te popujt që e kanë përdorur shkrimin më herët, është përftuar një komunikim më preciz, më strandard, se sa tek popujt ku ka dominuar komunikimi oral. Në të ardhmen duhet të hulumtohet se si përkthehet ajo përvojë në komunikimin në internet, veçmas në rastin e ne shqiptarëve, ku alfabetizimi i masave, ka koinciduar fillimisht me komunizmin dhe së voni edhe me përhapjen e internetit. Sa është bartë ajo prirje e keqcitimeve, e deformimit të mesazhiit, e denoncimit, e thashethemnajes dhe e relativizimit të së vërtetës, e cila ka qenë e sedimentuar nga komunikimi oral dhe nga ideologjia komuniste në komunikimin digjital? Është pyetje e mirë, por duhet të presë ende për një përgjigje të qartë. Sidoqoftë, njeriu shqiptar i dalë nga komunikimi mijëravjeçar oral dhe nga regjimi gjysmëshekullor komunist e i futur befas në komunikimin digjital, është konkret dhe nuk ka kaluar nëpër ndonjë proces transformimi significant, as moral as arsimor, as ligjor. Bile, ky është njeri edhe me trashëgiminë autodestruktive bizantine, me trashëgiminë cubnore e kanunore provinciale, njeriu me sedimente të mentalitetit sllav dhe njeriu me tjetërsimin moral e ideologjik të projektit të “njeriut të ri socialist.” Kjo sajesë tash është shndërruar mekanikisht në “njeri digjital.” Platformat e komunikimit digjital i mundësojnë të shprehë edhe të gjitha frustrimet, mëritë, urrejtjet, krahas ëndrrave, iluzioneve, idealeve dhe vlerave. Kakofonia, në formë të krizës postmoderniste mbi identitetin social, fetar e nacional ekziston brenda tij. Mungesa e subtilitetit dhe e imagjinatës bën që të shprehë më shumë të parat se sa të dytat. Këtu jemi. Në të ardhmen interneti mund të përdoret që ta arrijmë transformimin moral, arsimor e ligjor, rrjedhimisht që të gjejmë akordin me kohën kur jetojmë dhe paqen me veten, pa pasur nevojë të ikim prej vetes. Por, nëse internet nuk përdoret në këtë drejtim, ai do ta stimulojë edhe më shumë autodestruksionin me prejardhje bizantine, cubninë me prejardhje kanunore dhe imoralitetin me prejardhje komuniste. Në vend se të kontribuojë në transformim, mund të ndikojë në shtimin e virulencës së atyre veseve edhe më shumë se sa sot. Pra, nëse duhet të iket nga ndonjë gjë, duhet të iket nga trashëgimia kobzezë e autodestruksionit bizantin, e rebelizmit kanunor dhe e çmoralizimit komunist. Pra, duhet të shkëputemi nga trashëgimia e hidhur. Jo nga e tashmja, jo nga vlerat e saj. Me to duhet ta gjejmë paqen, duke synuar paqen me veten, si stadin final të vetërealizimit.

Exit mobile version