Site icon Prishtinapress

Heshtet rasti i tri vdekjeve të dyshimta në QKUK

Kanë kaluar gjashtë muaj nga vdekja e dyshimtë e tre pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përderisa rasti vazhdon të mbetet vetëm në fazën e hetimit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Zyrtarë nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë thënë se ekspertiza të ndryshme laboratorike, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, e kanë bërë këtë rast më kompleks.

Tre persona që po operoheshin në shtator të vitit të kaluar kishin vdekur në QKUK, derisa arsyet për këto humbje të jetëve ende janë të paqarta.

Lidhur me rastin Naser Guri, pronar i kompanisë “Bubeari”, është mbajtur në paraburgim pasi është dyshuar që shkaktar i vdekjeve ka qenë gazi oksidul i prodhuar pa licencë, e me të cilin është furnizuar QKUK-ja.

Për këtë rast edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca në seancën e Kuvendit ditë më parë ka thënë se çështja është heshtur dhe se drejtësia nuk po merret me të.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se ai ka reaguar me të gjitha kapacitetet e tij për këtë çështje.

Anëtarë të Bordit të QKUK-së e kanë cilësuar këtë rast si misterioz, derisa kanë treguar se kanë ndërruar kompaninë e cila e furnizon QKUK-në me gaz.

Ndërsa anëtarë të Komisionit për Shëndetësi kanë thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

Exit mobile version