Site icon Prishtinapress

Haxhiu: Kuvendit po i kthehet normaliteti

Deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës tha se Kuvendit po i kthehet normalitetit.

Ajo në një fjalim para deputetëve të Kuvendit në ditën e parë të punës së Qeverisë Hoti tha se do t’i përkrahin kur është për t’u përkrahur, ndërsa do t’i kritikojnë e mbajnë përgjegjës aty ku do të duhet.

Haxhiu shtroi çështjen e studentëve, të cilët kanë fituar bursa por nuk po mund t’i vazhdojnë studimet jashtë vendit shkaku se diplomat nuk njihen.

Haxhiu, ka thënë se për shkak të kundërthënieve të anëtarëve të KSHC-së përbrenda saj, janë duke e pësuar më së shumti studentët bursistë në institucione prestigjioze të arsimit.

“Mendoj se tash duhet të diskutojmë se çfarë po ndodh Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KSHC). Unë nuk dua të hyjë në pjesën ku policia e prokuroria po heton, por shqetësim i imi janë institucionet të cilat presin t’iu akreditohen programet dhe mbi të gjitha studentët të cilët po pësojnë. Shumë studentë të cilët janë në institucione prestigjioze për nivelin master apo doktoraturë, të cilët kanë fituar bursa dhe është dashur të kthehen prapa për arsye se diplomat e marra në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, nuk iu kanë vlejtë, sepse studentët shpeshherë fillojnë vitin akademik para se të akreditohen programet”, tha ajo.

Exit mobile version