Site icon Prishtinapress

Haradinaj-Stublla iu përgjigjet deklaratave të Vulin, kërkon edhe reagim ndërkombëtar

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla  ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë Aleksander Vulin, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke kërkuar që faktori ndërkombëtar te mos heshtë.

“Kemi një deklaratë zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes se Serbisë ku i quan me gjuhë raciste, diskriminues, fyese shqiptarët duke ju referuar fondit ndërshtetëror që kemi krijuar mes dy qeverive. Prandaj për këtë do duhet të ngrihet zëri ndërkombëtarisht dhe faktori ndërkombëtar të reagojë”, ka thënë ajo, në një intervistë për “Vizion Plus”

Haradinaj-Stublla ndalet dhe tek gjykata speciale dhe tek situata që është krijuar së fundmi në Kosovë.

“Kjo gjykatë dhe kjo asimetri mundohet të krijojë barazi mes agresorit dhe viktimës dhe kjo s’do pranohet nga ne asnjëherë dhe nuk është se kjo nuk na bren si popull, i cili ka kaluar përvuajtje të shumta dhe nëpër krimet gjenocidale te Serbisë dhe duke e ditur që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për ato krime”, theksoi ministrja.

Kryediplomatja e Kosovës rrëfen dhe situatën e krijuar pas firmosjes së marrëveshjes në Uashington, ku hapja e ambasadës në Jerusalem është kritikuar ashpër nga shumë vende, që e kanë mbështetur Kosovës që prej pavarësisë.

Haradinaj-Sublla është pyetur nëse i qëndron idesë së hapjes së ambasadës në Jerusalem.

“Patjetër që po, sepse kjo është një marrëdhënie bilaterale dhe besoj që do të kemi dhe mirëkuptimin edhe nga shtetet e tjera aleate dhe duhet ti gëzohen forcimit ndërkombëtar të Kosovës”, është shprehur ministrja.

Exit mobile version