Site icon Prishtinapress

Haradinaj: S’lejojmë që kazinotë të jenë arenë krimi dhe të marrin jetë njerëzish

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur propozim rezolutën e 49 deputetëve të Kuvendit lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës.

“Ditë më parë, si Kryeministër i vendit kam kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit”, ka thënë Haradinaj përmes Facebook.

“Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish”.

Ai ka thënë se ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë.

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00, Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues.

Tri vrasje ndodhën brenda pak ditësh në Kosovë. Dy nga to u kryen në kazino, teksa të vdekur mbetën punonjësit.

Rasti i fundit ndodhi mbrëmë në Lipjan ku një i ri pësoi nga arma e zjarrit që dyshohet se u shkrep nga grabitësit.

Kjo ka bërë që shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës t’i shpallë të jashtëligjshme të gjitha kazinotë dhe lojërat e fatit.

Exit mobile version