Site icon Prishtinapress

Haradinaj: Republikën e Kosovës e kanë bërë intelektualët durimtarë dhe kryengritësit bashkë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në shënimin e 30- vjetorit të nismës për pajtimin e gjaqeve në Lumbardh të Komunës së Deçanit.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se pajtimi që nisi këtu në Lumbardh të Deçanit, nga atdhetarët, 30-vjet ma parë, u përqafua në të gjithë Kosovën dhe nga të gjitha shtresat, ngase shqiptarët sikur e parandien se momenti i të vërtetës po afrohej,  e kjo e vërtetë ishte kryengritja e përgjithshme për liri e pavarësi, që u zhvillua nën udhëheqjen e UÇK-së e që e simbolizon komandanti ynë Adem Jashari.

“Kjo besëlidhje e menduar nga intelektualë të urtë, pri nga Anton Çetta, u ndoq nga rinia e Kosovës, nga të burgosurit politikë, nga shumë veprimtarë për të kulmuar me tubimin më të madh që njihet në historinë e shqiptarëve, te Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, aty ku u mblodhën gjysmë milioni njerëz dhe ku për pak orë u pajtuan 66 gjaqe e ngatërresa mes shqiptarëve”, shtoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Siç, theksoi ai, bësëlidhjet shqiptare zakonisht u paraprijnë betejave të ashpra për jetë a vdekje, që nga Kuvendi i Lezhës i marsit 1444, deri te Lidhja e Pejës dhe ajo e Prizrenit, e qershorit 1878, si dëshmi se shqiptarët dinë të bashkohen për ta  mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Atdheut.

“Si dikur komandanti i ushtrisë së Lidhjës, Sylejman Vokshi që i priu përpjekjeve për liri, profesor Anton Çetta u ngrit e tha: “Hajdeni burra, po bëjmë diçka për këtë vend”, duke i pajtuar rreth 1800 gjaqe dhe mijëra plagë e ngatërresa”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Anton Çetta ishte unifikues urtak,  zbulues i shpirtit të popullit dhe autoritet moral.

“Ai mbylli plagën ma të shëmtuar tonën, gjakmarrjen, tu i hap shteg paqes shqiptare dhe kthimin në familjen tonë euroatlantike. Pranë profesor Antonit, njeriu  ndihej se kishte vlerë. Për t’u lidhë rreth idesë së çlirimit duhej me e lidhë një pakt, një pajtim mes shqiptarëve, që Profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj, shtoi se Anton Çetta e ka zbërthyer kodin e fjalës së dhënë, besën, duke i bërë burrat e ashpër me ia shtri dorën hasmit të deridjeshëm, për me u bë vëllëzër të armës, në luftën çlirimtare.

“Republikën e Kosovës e kanë bë intelektualët durimtarë dhe kryengritësit bashkë, sepse dy palët ishin idealista. Dhe sot, shqiptarët, kanë sërish nevojë për idealistë – patriotë ligjorë- që besën dinë ta kthejnë në kontratë shoqërore e konfliktin në debat demokratik. Të bashkuar duhet ta fitojmë betejën për vendosjën e sundimit të ligjit, pa alternative”, deklaroi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu mirënjohje dhe lavdi  ndaj vajzave e djemve dhe të gjithë atyre veprimtarëve të çështjes kombëtare që u bashkuan këtu në Lumbardh e vazhduan në gjithë vendin.

Exit mobile version