Site icon Prishtinapress

Haradinaj ‘rehaton’ në Trepçë ish-kandidatin e AAK-së për kreun e Mitrovicës

Në mbledhjen e sotme të qeverisë anëtar i Bordit të Trepçës është emëruar ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Mitrovicës Esat Peci.
Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj emëroi sot gjashtë anëtarë në Bordin menaxhues të “Trepçës”.

Edhe kjo qeveri po vazhdon me politizimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, pasi në mesin e të emëruarve është edhe Esat Peci, ish-kandidat për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mirëpo ai kur u kontaktua nga KALLXO.com tha se e meriton këtë vend duke u thirrur në përvojën e tij të gjatë të punës.

“Të gjithë janë edhe anëtarë të një partie tjetër. Nuk ka njerëz apolitik ne Kosovë. Unë megjithatë i plotësoj të gjitha kushtet për të udhëhequr ketë punë. Unë jam magjistër i gjeologjisë, kam bërë projektime, mbikëqyrje, udhëheqje të punimeve ne Kosovë dhe jashtë Kosovës”, tha Peci.

Përveç Esat Pecit në bord janë emëruar edhe Feriz Fetahu, Xhafer Nuni, Shyqyri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci, ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj tha se bordi duhet kompletuar edhe me tre anëtarë tjerë.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi dje se qeveria po mban të fshehtë emrat e propozuar për Bordin e Trepçës, ndërsa përzgjedhja e tyre është bërë pa përfshirjen britanike.

Exit mobile version