Site icon Prishtinapress

Haradinaj: PDK dhe LDK vijë të kuqe për koalicion me AAK-në

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në një intervistë për Gazeta Blic ka theksuar se partia e drejtuar nga ai, ka vija të kuqe ndaj PDK-së e LDK-së, për mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas tij, këto zgjedhje duhet të mbahen në fillim të qershorit, derisa ka shprehur kundërshtinë e tij, për dy palë zgjedhjesh në vjeshtë.

Ish- komandanti i UÇK-së i cili në Strasburg të Francës po e pret tash e sa javë vendimin e Gjykatës në lidhje me ekstradimin apo mos ekstradimin e tij në Serbi, bazuar në një flet arrest të lëshuar më 2004, konsideron se institucionet e Kosovës nuk bën asgjë për të.

Kosova ka munguar këtu. Dmth. kapaciteti i Kosovës ka munguar në çdo drejtim në këtë temë. A është kjo mungesë e vullnetit apo mundësive të tyre kjo është për shqyrtim por që ka munguar, ka munguar”, ka theksuar ai.

I pari i AAK-së, në këtë intervistë ka treguar edhe në lidhje me atë se çka do të ndodhë nëse eventualisht gjykata në Colmar, mund ta ekstradojë në Serbi.

Gazeta Blic: Javën që vjen- të enjten, me 27 Prill, pritet një vendim rreth rastit tuaj nga Gjykata në Colmar. A keni informacione rreth një vendimi të mundshëm?

Haradinaj: Siç e dini, burimi i kësaj kërkese dhe ndalese vjen nga Beogradi. Është një kërkesë me prapavijë krejtësisht politike. Me elemente të materies që tashmë është trajtuar nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-JUgosllavinë dhe aty ka patur dy vendime të cilat e kanë nxjerrë si të pavlefshme. Për habinë e të gjithëve i është dhënë shumë rëndësi nga Juridiksioni këtu në Francë pikërisht asaj materiejeje që është trajtuar nga Gjyqi Ndërkombëtar. Në bazë të mundësive këtu tani janë dy mundësi: aprovimi i kërkesës së Serbisë për ekstradim ose refuzimi i kërkesës së Serbisë për ekstradim. Ne besojmë që bazuar edhe në diskutimet në seancën e fundit, asnjë kusht, asnjë kriter për atë ekstradim nuk është përmbushur dhe presim që kërkesa do të refuzohet. Pra nuk kemi informata të çfarëdo natyre por ajo që presim është epilogu do të jetë refuzimi i kësaj kërkese të Serbisë.

Gazeta Blic: Të nisemi nga një skenar që po e quajmë më i keqi i mundshëm. Pra një vendim në favor të Serbisë i cili do të parashihte ekstradimin tuaj në Serbi. Çfarë do të ngjante më pas?

Haradinaj: Një vendim  i tillë do të ishte  absurd.  Në fakt do të shënonte kulminacionin e absurdit. Pse? Sepse kjo dmth. Që atëherë do të kalohej në situatën kur nuk vlejnë ligjet e vendit atje, nuk vlejnë ligjet e marrëveshjeve ndërkombëtare por vlejnë marrëdhëniet bilaterale, në këtë rast marrëdhëniet Francë- Serbi. Pra këtu do të hidhej poshtë edhe ligji dhe e drejta në Republikën e Kosovës të ciën Franca e ka njohur por poshtë do të hidhej edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.  Me këtë logjikë atëherë kjo do të thotë që edhe ne shqiptarët dhe sidomos ne në Kosovë do të mund të themi që nuk njohim kurrfarë vendimesh tjera për ata që supozohet se kanë kryer krime lufte përpos vendimeve që merr juridiksioni në Prishtinë. Që dmth. Kosova do të duhej të merr një vendim dhe qëndrim që s’e njeh asnjë vendim gjyqësor që për serbët është shqiptuar për krime që kanë kryer në Kosovë pa i gjykuar ne në Kosovë. Ky është realiteti ky do të duhej pastaj të ishte edhe qëndrimi i Kosovës sepse në rast të një vendimi të tillë faktikisht Beogradit po i jepet mundësia të thotë që nuk njohim asnjë vendim tjetër gjyqësor pos vendimeve që merr Beogradi! Kjo pra dmth. Që shqiptarët mund të thonë që s’njohim më instanca ndërkombëtare të gjykimeve ndërkombëtare por, e kjo ka rëndësi, nuk i njohim as të rejat. Dhe krejt me këtë logjikë, vetëm kur i gjykojmë ne, vetëm ato vlejnë.  Për t’u përgjigjur konkretisht, në rast të një vendimi të tillë, si shkon më tutje, atëherë këta i kanë instancat e tyre politike të cilat marrin vendime po politike, por e them edhe njëherë atëherë do të krijoheshin kushtet që edhe Kosova të merr vendime të njëanshme të cilat do të dukeshin ashtu që edhe ne në Kosovë nuk njohim vendime nga asnjë instancë tjetër për serbët përpos atyre që i shqiptojmë ne në Kosovë. Psh. Me aktakzua kundër Vuçiqit, Daçiqit e krejt aparatit shtetëror serb ne ofrojmë një gjykim të drejt në Prishtinë. Dhe krejt praktikat e deritashme se kemi mekanizma ndërkombëtarë, gjykata ndërkombëtare të paanshme për palët armiqësore, më nuk vlejnë dhe krejt teoria e BE-së apo Amerikanëve që duhet të ketë një instancë neutrale për gjykime siç ka qenë Haga apo siç janë Dhomat e Gjykatës Speciale për Kosovën bjen në ujë sepse kjo dmth. që duhet popujt dhe vendet në fjalë ta bëjnë këtë gjë veç e veç. Pra, atyre me na gjyku neve e ne me i gjyku ata!

Gazeta Blic: Qëndrojmë edhe pak tek një vendim i mundshëm, të themi fiktiv, me skenarin që mund të ketë një vendim në favor të Serbisë për ekstradimin tuaj në këtë shtet. A prisni trazira në Kosovë në rast të një vendimi të tillë?

Haradinaj: Shikoni, me një vendim të tillë, faktikisht po thyhet një normë. Dmth. Kosova më s’ka nevojë të respektojë asnjë normë ndërkombëtare. Pra Kosova ka të drejtë ta anulojë çdo vendim për marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe Kosova mund të thotë që s’njohim më këso marrëveshjesh sepse po i  lejohet atij që ka kryer krime që të praktikojë diçka të tillë. Dmth. Franca po e legjitimon një praktikë të këtillë në rastin tim.

Gazeta Blic: Në media në Kosovë ka patur raportime në ndërkohë të hollësishme që shteti nuk ju ka përkrahur në Francë. Dmth. kanë munguar të gjitha llojet e përkrahjes përfshirë edhe obligimet për mbrojtjen tuaj. 

Haradinaj: Shikoni, Kosova ka munguar këtu. Dmth. kapaciteti i Kosovës ka munguar në çdo drejtim në këtë temë. A është kjo mungesë e vullnetit apo mundësive të tyre kjo është për shqyrtim por që ka munguar, ka munguar. E vetmja gjë që këtu nuk ka munguar është asitenca e Konsullit të Kosovës në Strasbourg Edon Cana apo edhe Ambasadorit të Kosovës në Paris Qëndrim Gashit por edhe kjo është asistencë e një natyre tjetër. Por asitenca e shtetit dhe instuticioneve ka munguar totalisht dhe unë personalisht e kam mbijetuar këtë situatë falë ndihmës dhe përkrahjes së bashkatdhetarëve këtu në Europë sepse procedurat tashmë janë kryer dhe avokatët këtu nuk punojnë me hua dhe ata të instutucioneve as atë aspekt nuk e kanë mbuluar.

Gazeta Blic: Të shohim drejt Kosovës. Në një formë Kosova është fushatë parazgjedhore. Qoftë për zgjedhjet e rregullta komunale që do të mbahen në vjeshtë ashtu edhe tek ato të parakohshmet parlamentare. Kolegët tuaj, kryetarët e partive tjera në pushtet e opozitë tashmë janë në terren dhe me këtë edhe në fushatë. Si e ndjeni veten ju në Francë derisa shihni ata duke bërë fushatë?

Haradinaj: Situata me mua shihet se është një lojë. Dhe kjo është një lojë me vazhdime e vonesave. Duke e parë që është lojë me vazhdime dhe meqë gjithmonë më përcjellin parimet Atdheu im mbi të gjitha, Kombi im mbi të gjitha, atëherë unë s’kam dëshirë që fati im të jetë i lidhur me këto lojëra me vazhdime, unë kam ra dakord që vendi të ecën para edhepse s’mund të jem atje dhe t’i kryej krejt punët që duhet kryer. Pra kam ra dakord që vendi t’ia kthejë vendimin sovranit dhe ky të merr vendim që sovrani, populli, qytetarët të dalin në zgjedhje të parakohshme.

Gazeta Blic: Ta zëmë që të enjten që vjen vendimi do të jetë pozitiv. Pra Gjykata do të jetë në favorin tuaj dhe Serbisë do t’i refuzohet kërkesa për ekstradim. Ju shkoni në Kosovë dhe atje kemi një situatë parazgjedhore apo edhe parafushate. Cilat janë prioritet tuaja. Ju tashmë jeni në Koalicion me Nisma dhe Fatmir Limajn. Cilat do të ishin prioretet, programi juaj.

Haradinaj: Unë jam i bindur që kërkesa e Serbisë do të refuzohet dhe se kësaj loje me vazhdime po i vjen fundi. Koha është kuptohet shumë e çmueshme. Sidomos për një vend siç është Kosova. Për proceset që janë atje. Prandaj dëshiroj që më të humbas sa më pak kohë këtu. Sepse duhet kthyer tek angazhimet dhe puna atje në vend.  Në ndërkohë më duhet të them që u jam mirënjohës shqiptarëve për përkrahjen e jashtëzakonshme dhe të mahnitshme që më kanë bërë këtu. Por poaq u jam mirënjohës edhe kolegëve të Aleancës dhe partnerit tonë Nismës të cilët kanë ndjerë peshën e situatës në të cilën jemi. Ajo që tash mund të them është që ne kemi një vijë të kuqe në këtë situatë. Dhe ajo vijë e kuqe parasheh që nuk pranojmë koalicion parazgjedhor me partitë në pushtet- PDK dhe LDK. Pra është vijë e kuqe dhe nuk shkojmë në koalicion me partitë që e kanë shkaktuar këtë situatë në të cilën Kosova është. Ne e kemi opcionin tonë dhe ky është që të shkojmë në këto zgjedhje për fitore të zgjedhjeve.  Njëkohësisht do të ftojmë për bashkim dhe bashkëpunim sa më shumë forca politike e personalitete që nuk pajtohen me këtë gjendje në mënyrë që Kosova të nisë një etapë të re pas zgjedhjeve. Në mënyrë që pas zgjedhjeve të mos përsëritet situata e njejtë. Pra që pas zgjedhjeve të mos ketë një përsëritjeve të paqartësive që kemi patur deri më tashti.

Gazeta Blic: Qeveria e deritashme, ka dështuar në mënyrë konstante të kryejë obligimet që ka marrë dhe ato edhe ia kanë zënë frymën. Pra në Kosovë temat kryesore vazhdojnë të jenë Demarkacioni, Asociacioni, dialogu me Beogradin… Në një Qeverisje të ardhshme, konstalacion të ardhshëm qeveritar, si mendoni që do t’i përmbyllni këto tema.

Haradinaj: Ne mendojmë që sfida kryesore e Qeverisjes së ardhshme do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve në qeverisje, besimi, kredibiliteti i qeversjes, janë veprimet dhe vendimet të qeversjes që reflejtojnë me rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, janë vendime për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në krejt territorin e Kosovës, me përmbylljen e plot proseseve të cilat kanë mbetur të papërmbyllura. Pra me konsolidimin e Kosovës me rend dhe ligj. Pra me krijimin e parametrave real në bazë të të cilëve mëpas e dijmë si do ta kemi arsimin apo shëndetësinë apo,e përsëris edhe njëherë ekonominë, sepse bazuar në këta parametra pastaj e dijmë se ku mund të veprojmë.

Temat që janë trashëguar siç është rasti i Shënimit të kufirit me Malin e Zi, Bashkësisë së Komunave Serbe janë tema të zgjidhshme. Pse janë të zgjidhshme? Sepse ne besojmë që mund ta rinegociojmë shënimin e kufirit me Malin e Zi pasi që me fqinjin në fjalë s’kemi patur as s’kemi probleme. Pokështu, Kosova edhe në bazë të Kushtetutës ka obligimin për formimin e Asociacionit të Komunave serbe por jo një Republika Srpska. Pra të dy këto situata pastrohen dhe mendoj që institucionet e vendit nuk e kanë të vështirë t’i zgjidhin këto siç sot po trumbetohet. Vështirësia dhe gabimi i tyre është që kanë ngulur këmbë në versionet e gabuara. Psh. e keni rastin e Ligjit të Trepçës i cili tregoi se çdo gjë është e zgjidhshme. Erdh një Ligj i gabuar, opozita e kundërshtoi në mënyrë të fuqishme. U korrigjua ky ligj dhe opozita nuk e kundërshtoi atë dhe u përmbyll ajo temë.

Gazeta Blic: Temë aktuale në Kosovë është çështja e zgjedhjeve të parakohshme. Jo pak zëra në Kosovë thonë që në zgjedhje mund të shkohet në pako. Pra që të mos organizohen për një periudhë kohore prej disa muajsh dy palë zgjedhje por të shkohet në pako dhe ato në vjeshtë të mbahen si për Parlament ashtu edhe për komuna. A keni një përgjigje për këto kërkesa?

Haradinaj: Po nuk është kriza në Kosovë, krizë komunale. Kriza në Kosovë është krizë nacionale, krizë e Qeverisjes. Prandaj them se kriza është nacionale sepse ajo ka emër. Kosova ka ngecje në qeverisje vendore dhe atë me emër dhe adresë: krizë në besim, në izolim dhe mungesë të lëvizjes, rend dhe ligj, ekonomi. Kurse komunat ato e kanë radhën dhe qeverisjen dhe me këtë edhe orarin e tyre.

Exit mobile version