Site icon Prishtinapress

Haradinaj: Mund të mos lirohem nesër

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një bisedë telefonike për gazetën Express, ka folur për procesin e nesërm gjyqësor ndaj tij në Colmar të Francës.

Lideri i AAK-së thotë se as nesër kjo gjykatë mund të mos marrë vendim për lirimin e tij. Por, ai porosit mbështetësit që të jenë të qetë, meqenëse e drejta është plotësisht në anën e tij.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, te enjten do të përballet për të tretën herë radhazi me gjykatën Franceze në Colmar, nën akuzat për krime lufte.

Haradinaj në një intervistë dhënë për Express të mërkurën, duke folur për seancën e nesërme, e pranoi se ndoshta lirimi i tij nuk do të ndodhë as nesër.

“Në seancën e nesërme janë mocionet nëse mund t’i quaj kështu përfundimtare, prokuroria edhe njëherë paraqet argumentet e veta pse janë plotësuar kushtet për ekstradim në Serbi, ndërsa mbrojtja në këtë rast ne, do të dorëzojmë mocionin tonë pse kjo kërkesë për ekstradim është e pabazë dhe është politike. Nuk ka bazë ligjore se është përsëritje e akuzave që kanë ekzistuar para Tribunalit të Hagës. Pra nesër kemi ballafaqimin. Ekziston mundësia teorike për vendim edhe nesër, por pritet që vendimi të merret në ditët në vijim, pra jo nesër’, tha ai.

Kreu i AAK-së, i cili po mbahet në Francë që nga 4 janari, kur është arrestuar sipas një fletarresti të Serbisë, fton qytetarët dhe ata që besojnë në të që të mos shqetësohen pasi thotë se beson në të drejtën e tij. Ndërkaq, ai është shprehur i qartë se nuk e njeh juridiksionin serb mbi të.

Exit mobile version