Site icon Prishtinapress

Hamza tregon nëse të punësuarit do të kenë probleme me pagat

Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza mohon të ketë dështime në realizimin e projekteve për shkak të mos rishikimit të Ligjit të Buxhetit.

Ministri Hamza thotë për KosovaPress, se nuk ishte paraparë rishikim i buxhetit as për sivjet, sepse buxheti 2019 ka qenë i planifikuar mirë, dhe nuk paraqet ndonjë problem financiar, ngase trendi i të hyrave është pozitiv dhe sipas planifikimeve.

Sipas tij, organizatat buxhetore janë në gjendje t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre kontaraktuale ndaj çdo kompanie ose institucioni.

“Shteti është në gjendje t’i kryej të gjitha obligimet e veta ligjore për paga, për pensione pa vonesa, dhe për të gjitha obligimet kontraktuale ndaj të gjitha kompanive ekzekutuese të projekteve pa vonesa. Nëse ndonjë organizatë buxhetore nuk i paguan mjetet në kohë kur plotësohen kushtet ligjore, unë e quaj papërgjegjësi, mos punë dhe në raste të caktuara edhe shkelje ligjore. Mjetet janë, nuk ka as një vështirësi”, deklaron Hamza.

Ministri i Financave ndër të tjera thotë se ligji e mundëson që ato organizata që kanë nevojë për ri-rregullim, në tre mujorin e vitit të fundit, me propozim të MF-së në qeveri bëhet ri-rregullimi i shumave mbi bazën e kërkesave të organizatave buxhetore.

“Nëse ka nevojë që të ketë ndonjë rregullim apo ri-rregullim të brendshëm brenda organizatave buxhetore, ligji i buxhetit e parasheh një mundësi të tillë, që në tre mujorin e fundit përmes propozimit prej Ministrisë së Financave që Qeveria të merr vendim që 5 përqind e totalit të buxhetit ka mundësi të ri-destinohet prej kategorive ekonomike në kategori ekonomike, pa asnjë vështirësi, pa asnjë që 5 përqind e totalit nënkupton më shumë se 100 milionë euro të cilat mund të ri-destinohen”, deklaron ai.

Për mosrishikim të buxhetit ka pasur vërejtje nga partitë opozitare dhe nga njohës të çështjeve ekonomike.

Ministri Hamza po ashtu thotë se mosrishikimi i buxhetit nuk paraqet problem as në zbatimin e ligjit për paga.

“Të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës, pagat do t’i marrin mbi bazën e ligjit të ri, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është detyrim ligjor dhe prej datës kur kalkulohet me koeficient të ri, të gjithë të punësuarit do t’i marrin pagat mbi bazën ligjit të ri, dhe ky do të jetë muaj dhjetor i këtij viti. Mjetet financiare në buxhet janë, masa e pagave është më se e mjaftueshme e buxhetuar për mbulimin e kësaj kosto”, tha Hamza.

Ndryshe, sikur se vjet, as sivjet nuk ka ndodhur rishikimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte dashur të ndodhë në muajin qershor ose korrik.

Exit mobile version