Site icon Prishtinapress

Hamilton: Merkel është tërhequr, SHBA-së i intereson vetëm Kosova

Daniel Hamilton, ekspert i zhvillimeve ndërkombëtare në Universitetin, John Hopkins, ka analizuar zhvillimet e fundit në politikën e fuqive botërore për çështjen e Kosovës.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk ka shumë kohë për Ballkanin, sipas Daniel Hamilton, ekspert i zhvillimeve ndërkombëtare në Universitetin, John Hopkins.

Sipas “Zërit të Amerikës”, njohësi i politikës evropiane po ashtu nuk është i bindur se Washingtoni do të ketë angazhim të mjaftueshëm për përshpejtimin e integrimit euroatlantik të shteteve të mbetura nga Ballkani perëndimor, transmeton prishtinapress.eu

Hamilton ka thënë se SHBA nën udhëheqjen e presidentit Trump nuk ka kohë të merret me rajonin.

“Administrata mundohet ta dërgojë çështjen e Ballkanit perëndimor tek Evropa, kurse evropianët nuk janë duke i dhënë shumë fokus atij rajoni. Zyrtarë të rëndësishëm amerikanë që e njohin mirë atë terren, janë të tërhequr. Thjeshtë, nuk ekziston askush në nivel të lartë i cili merret posaqërisht me çështjen e Ballkanit. As prezenca amerikane në atë rajon nuk është edhe aq e madhe”, u shpreh Hamilton.

Sipas tij, gjërat nuk qëndrojnë më mirë as në bllokun evropian.

“Kancelarja Merkel në vitet e kaluara është munduar të marrë përsipër më tepër atë rajon, por së fundmi është tërhequr prej tij. Britanikët, shteti i dytë i rëndësishëm që merret me temën, së shpejti nuk do të jetë anëtarë e asnjë unioni evropian. Franca kurrë nuk ka luajtur rol të madh. Me raste, Austria është angazhuar, por ndikimi i saj është i pamjaftueshëm”, shtoi ai.

Hamilton beson se ndikimi i disa shteteve tjera ka filluar të përforcohet.

“Nuk e kam fjalën vetëm për ndikimin rus. Kinezët janë shumë të interesuar për investime në Evropë. Shtetet islamike kanë lënë ndikim të madh në Bosnje dhe regjione tjera. Turqia po ashtu është angazhuar për arsye të saja por jo gjithmonë në përputhje me qëndrimet perëndimore”, theksoi Hamilton.

Hamilton ka theksuar se banorët e Ballkanit perëndimor kanë mbetur me premtime afatgjate se do të bëhen pjesë e Evropës. Por, ai theksoi se për një zgjidhje në Ballkanin perëndimor kërkohet angazhimi i të dyja anëve të Atlantikut.

Exit mobile version