Site icon Prishtinapress

Hale: Kosova do të paguajë çmim nëse dështon dialogu

Liderët shtetëror kanë qëndruar në rezidencën amerikane për dy orë të shtunën paradite, ku janë ftuar në takim nga nënsekretari për çështje politike në Departamentin amerikan të Shtetit, David Hale.

Burime të RTK-së tregojnë se Hale ka kërkuar suspendimin e taksës, duke folur për rrezikun e dështimit të dialogut.

“Nëse Kosova mbetet përgjegjese për dështimin e dialogut do të paguajë çmim”, ka thënë Hale kanë treguar këto burime, duke thënë se ky ka qenë mesazhi kryesor i amerikanëve në takimin e sotëm.

Ndërkohë, të hënën, në Prishtinë për të njëjtën temë do të vijnë edhe dy këshilltar të kancelarës gjermane Merkel, të cilët pritet të rrisin presionin mbi qeverinë kosovare për të suspenduar taksën dhe vazhduar dialogun.

Më pas, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook ka treguar për takimin që kanë mbajtur sot krerët e shtetit me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

“Sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale”, ka shkruar Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka treguar se është biseduar për zhvillimet politike aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe me theks të veçantë për zhvillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj,  ka thënë se në takimin me Hale, ka paraqitur qëndrimin se Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Kryeministri i vendit, ka thënë se e fton Serbinë që t’i kthehet tavolinës së bisedimeve dhe të diskutojnë hapur për çështjet e vendit dhe tregtinë e lirë.

“E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Hale ka qëndruar të premten në Serbi, ndërsa sot po qëndron në Kosovë ku është takuar edhe me krerët e shtetit për të diskutuar në lidhje me pezullimin e taksës dhe vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Diplomati amerikan e ka bërë të qartë se vizita e tij në Serbi dhe në Kosovë do të jetë me objektive të qarta – vazhdimi i dialogut dhe se do të ketë kërkesë ndaj Kosovës për heqje të taksës.

Exit mobile version