Site icon Prishtinapress

Hahn: Serbia dhe Mali i Zi drejt anëtarësimit në BE deri më 2025

Serbia dhe Mali i Zi ka gjasa se do të jenë vendet e radhës që do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mbase deri në vitin 2025, ka thënë në një intervistë zyrtari i BE-së i ngarkuar me anëtarësimin e vendeve kandidate, shkruan sot Koha Ditore.

BE-ja ka lansuar një përpjekje diplomatike për të përshpejtuar hapat për t’i sjellë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, pas viteve të progresit të kohëpas-kohshëm.

“Është koha t’i jepet fund punës së vitit 1989”, tha për Reutersin komisari evropian Johannes Hahn, duke iu referuar zgjerimit të BE-së në lindje pas rënies së Murit të Berlinit. “E kemi vendosur vitin 2025 si një datë indikative për Serbinë dhe Malin e Zi, që është realiste, por edhe shumë ambicioze”.

Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që të gjitha shpresojnë se do t’i bashkohen BE-së, por vitet e fundit ato i kanë parë gjasat e tyre për anëtarësim duke u zbehur në kohën kur politikanët e BE-së, të përballur me euroskepticizmin në rritje në vendet e tyre, krizën e eurozonës të viteve 2009-2013, dhe votën e Britanisë për dalje nga blloku, dhe dukej sikur e kanë humbur interesimin.

Por ndikimi rus në rritje, kriza me migrimin që e ka kapluar rajonin, largimin e Turqisë drejt sundimit autoritar dhe një dëshirë për të forcuar integrimin evropian pasi të largohet Britania, më 2019, ia kanë siguruar Ballkanit një mundësi të re.

“Ose do ta eksportojmë stabilitetin në rajon, ose do të importojmë jostabilitet”, tha Hahn, duke argumentuar se procesi i anëtarësimit në BE ishte mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kërcënimin nga autoritarizmi në rajon.

Serbia po shihet si qendrore dhe BE-ja shpreson se ndikimi i Beogradit në Ballkan do të mundë të ndihmojë për zbatimin e reformave të tjera.

Hahni pritet ta vizitojë Serbinë në shkurt, pasi Komisioni Evropian të ketë publikuar strategjinë e re për Ballkanin, më 6 shkurt, ndërsa pas tij do të udhëtojë edhe presidenti i Komisionit, Jean Claude Juncker, i cili pritet t’i vizitojë të gjashtë vendet ballkanike në një gjest të përkrahjes.

Hahn, po ashtu, do të udhëtojë në Washington, muajin e ardhshëm, për të takuar zyrtarët e State Departamentit për të përvijuar shtytjen e BE-së për Ballkanin.

Me Bullgarinë fqinje si kryesuese të presidencës rotative të BE-së nga janari deri në qershor, liderët e BE-së do të mbajnë një samit special në Sofje, në muajin maj. Britania, po ashtu, pritet të jetë nikoqire e një takimi të nivelit të lartë për Ballkanin, në korrik.

“Thirrja për zgjim”

Në një moment tjetër të rëndësishëm, Maqedonisë do të mundë t’i ofrohej një ftesë për anëtarësim në NATO, aleancë e udhëhequr nga SHBA-ja, nëse ajo do të arrijë të zgjidhë kontestin e saj me Greqinë rreth emrit të kësaj ish-republike jugosllave, kanë bërë të ditur diplomatë të NATO-s.

Hahn tha se ishte i sigurt se çështja në fund do të zgjidhet pas bisedimeve të OKB-së këtë muaj. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Maqedoni, të mërkurën, po ashtu tha se ka parë shpresë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Megjithatë, pengesa në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE ka me bollëk.

Gjashtë vendet e Ballkanit kanë sisteme të dobëta bankare dhe gjyqësore, ndërsa të hyrat në rajon janë 30 për qind më të ulëta sesa në Eurozonë, bazuar në shënimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rajoni është i goditur nga konfliktet etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë, në vitet e 1990-ta.

Bosnja mbetet thellësisht e ndarë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ish-krahinë e saj. Dhe e akuzon atë se kërkon të hyjë në luftë me Beogradin. Mali i Zi është përfshirë në krizë politike gjatë pjesës më të madhe të vitit 2017.

Strategjia e BE-së mbështetet në premisën se Serbia dhe Kosova do të arrijnë “normalizim të marrëdhënieve” deri në fund të vitit 2019, bazuar në një draft-version të planit që e ka parë edhe Reutersi.

Hahn e pranoi se vrasja e liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, të martën, është tregues për jostabilitetin e rajonit.

“Shpresoj se kjo është një thirrje për zgjim për politikanët e përgjegjshëm. Kërkoj për aftësi politike që të kuptohet se vetëm bashkëpunimi, pajtimi janë rruga e vetme përpara”, tha ai.

Exit mobile version