Site icon Prishtinapress

Grenell: Kurrë nuk është folur për shkëmbim të territoreve – Kurti më shikoi në sy dhe tha se do ta largojë taksën

Emisari  i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell, ka siguruar se asnjëherë nuk ka folur me Thaçin e Vuçiqin rreth shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time dhe siç thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë. E kam thënë këtë më parë. E kemi thënë këtë në Twitter, kemi lëshuar deklarata për medie, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi qenë të qartë se këto thashetheme janë thjesht kaq, janë thashetheme” ka thënë ai.

I pyetur nëse për  të shkëmbimi i territoreve është një opsion i mirë, Grenell e ka përjashtuar këtë. “ Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion” ka thënë emisari amerikan.

Grenell ka folur edhe për takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën” ka thënë  Grenell.

Sipas tij, është qëndrim i Shtetet e Bashkuara se “taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z.Kurti ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti”.

“Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës” ka shtuar Grenell, në një intervistë në T7.

Emisari amerikan ka thënë se ekonomia amerikane, nën udhëheqjen e Trumpit ka qenë e mahnitshme dhe se pikërisht për Kosovën e Serbinë Trump i kishte kërkuar atij që të ndihmojë për të krijuar hapa nxitës ekonomikë dhe një atmosferë pro-biznesore në mënyrë që të rinjtë të gjejnë vende pune.

 

Exit mobile version