Site icon Prishtinapress

Gjuriq i përgjigjet Lajçakut: Nesër në Bruksel do të flitet për Asociacionin

Pas njoftimit të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se në takimin e nesërm në Bruksel, temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë, ka reaguar Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka thënë se për palën serbe pikë e parë e takimit do të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Duke i replikuar Laçakut në Twitter , Gjuriq ka shkruar se për Asociacionin është rënë dakord para shtatë vjetësh nën lehtësimin e BE-së derisa ka shpërndarë edhe pikat e asaj marrëveshje.

“Faleminderit për mikpritjen. Tema e parë në rendin e ditës nesër do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Të paktën për palën serbe. Për këtë u ra dakord nën lehtësimin e BE-së shtatë vjet e gjysmë më parë”, ka shkruar Gjuriq.

Lajçak përmes një postimi në Twitter shkroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjek marrëveshjet për pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë.

“Të dyja temat janë shumë komplekse, për këtë arsye nesër do të diksutojmë për pretendimet financiare dhe aranzhimin për komunitetin jo shumicë në ditët në vijim”, ka shkruar Lajçak.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ai gjatë diskutimit të sotëm me shoqërinë civile i është kundërpërgjigjur edhe presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se nesër nuk është ditë e rrezikshme për vendin.

Exit mobile version