Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thotë se Serbia mirëpret propozimin amerikan për një bashkëpunim më të mirë ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, por që kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se si parakusht pranon njohjen e pavarësisë”. Gjuriq tha se sfida aktuale e Serbisë, sa i përket Kosovës, është gjykimi i gjashtë të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke thënë se “hetimet paralele që po zhvillon Serbia lidhur me këtë vrasje, çojnë në drejtim të kundërt me ato të Prishtinës”.
Gjuriq, duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë për Radio Beogradin se e rëndësishme është që “ne nuk e hedhim poshtë dialogun dhe se jemi gati për negociata, me kusht që edhe pala shqiptare ta dëshirojë këtë’.
“Serbia mirëpret propozimin e SHBA-së për bashkëpunim më të mirë ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës, por kjo nuk do të thotë se pranon njohjen e pavarësisë si parakusht”, tha Gjuriq.
“E rëndësishme që të mos e hedhim poshtë dialogun dhe të jemi të gatshëm për negociata, me kusht që edhe pala shqiptare ta dëshirojë të njëjtën. Mirëpresim bisedimet për linjën hekurudhore dhe ajrore Beograd-Prishtinë, sepse projekte të tilla janë të rëndësishme për një standard më të mirë të serbëve në Kosovë”, tha Gjuriq, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse Kosova së shpejti do ta ketë Qeverinë e re, apo ndoshta do të ketë gjedhje të reja, Gjuriq tha se “është një situatë shumë e paqartë dhe se cështja rreth zgjedhjeve mund të ndryshojë çdo ditë”.
“Ajo që është e rëndësishme për Serbinë është fakti që Lista Serbe i ka të gjitha të drejtat e garantuara me ligj dhe që përfaqësuesit e saj nuk do të pajtohen me asnjë shantazh”, tha Gjuriq, duke pranuar se nuk ka informacione nëse Vetëvendosja e Albin Kurtit do të arrijë përfundimisht marrëveshje me LDK-në e Isa Mustafës.
“Përveç sfidave të njohura, Prishtina po vendos vazhdimisht sfida të reja para Serbisë”, tha Gjuriq, duke potencuar se kjo paraqet problem.
“Sfida aktuale është gjykimi i gjashtë serbëve lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit”.
“Procesi është një farsë me prova dhe dëshmitarë të rremë. Kjo është arsyeja pse Serbia po zhvillon hetimin e vet. Unë jam i informuar nga burime të sigurisë se hetimi ynë po shkon në drejtim të kundërt me Prishtinën, por ne nuk mund t’i zbulojmë detajet, në mënyrë që të mos rrezikohet hetimi”, tha Gjuriq.