Site icon Prishtinapress

Gjergj Dedaj kontaktohet nga Specialja: Prokurorët më pyetën nëse jam kërcënuar

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka njoftuar se është kontaktuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë, të cilët siç tha ai e kanë telefonuar për të pyetur nëse është i gatshëm që t’i përgjigjet një ftese eventuale për intervistim nga kjo gjykatë.

Dedaj tha se prokurorët e kanë kontaktuar edhe më herët, ndërkaq telefonata e fundit iu bë gjatë ditës së sotme.

“Unë jam kontaktuar edhe vite më parë nga autoritetet e Gjykatës Speciale. Ata edhe sot më kanë kontaktuar me telefon autoritetet e Gjykatës Speciale, prokurorë të caktuar më kanë pyetur dhe janë interesuar rreth kësaj gjykate. Ku më kanë thirrur, edhe sot, edhe nëse më thirrin nesër, edhe jam i gatshëm në çdo kohë të ju përgjigjem, por kamë dëshirë dhe kërkoj prej tyre që së pari të më japin një përgjigje se kush m’i ka vra 12 anëtarët e familjes sime, kush e ka bërë masakrën në Meje, kush i ka bërë 400 masakra në Kosovë, kush ka bërë 20 mijë dhunime në Kosovë. Këto nuk i ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është ushtri që ka bërë një luftë të drejtë, një luftë vetëmbrojtëse. Na nuk kemi shkuar të luftojmë në Serbi, na e kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, e kemi mbrojt nderin e kemi mbrojt familjet tona”, thotë Dedaj.

Dedaj tha se prokurorët e kanë pyetur edhe nëse ka shqetësime apo nëse po kërcënohet nga dikush.

“Ata kanë kërkuar të dinë nëse jam i gatshëm të përgjigjem ndonjë ftese eventuale, ndonjë ballafaqimi, ndonjë interviste. Edhe unë ju kam thënë që në çdo sekondë, minutë, në çdo ditë jam i gatshëm sepse kur je i pastër edhe si Kosovë edhe si UÇK, se UÇK-ja është aleate e NATO-s. Ne jemi viktima, tendencat ruso-serbe, edhe tendencat e një gjykate politike, për t’i barazuar krimet serbe me viktimat e Kosovës, është komplet johumane. Kanë pyet a kam shqetësime, kërcënime. Mund të jem edhe si dëshmitar edhe jam i gatshëm, është nder për mu sepse e dëshmoj luftën e pastër të UÇK-së. Familja ime ka pasur dëshmitarë në gjyqin kundër Millosheviqit, janë ballafaquar me të”, tha Dedaj në RTK.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut tha se nuk është marrë në pyetje, por se u ka bërë të qartë prokurorëve se është i gatshëm për të dëshmuar në çdo kohë.

“Sipas mendimit tim, personal, është një proces shumë i padrejtë. Nuk jam marrë në pyetje, jam kontaktuar dhe kanë kërkuar disa çështje nga unë. Vetëm jam i kontaktuar, por unë jam i gatshëm edhe nëse më ftojnë që të shkojë sepse unë kam çka me fol. Unë kam me kërkuar nga Gjykata Speciale që të zbardhen krimet edhe gjenocidi serbë në Kosovë, sepse serbët kanë bërë krime e gjenocid në Kosovë dhe masakra nëpër gjithë Kosovën, duke përfshirë edhe familjen time, ku sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjigje dhe askush nuk është dënuar për masakrën e Mejes, ku janë vrarë rreth 400 shqiptarë brenda dy orëve me 27 prill 1999”, tha Dedaj.

Exit mobile version