Site icon Prishtinapress

Gjakovarët shpërfillin kufizimin e lëvizjes, Gjini paralajmëron: Do të kërkoj nga policia të ndërmerr masa

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka lutur qytetarët që t’i respektojnë masat preventive ndaj pandemisë COVID-19.

Reagimi i Gjinit vjen pasi qytetarët e Gjakovës kanë dalur masivisht në qytet.

“Dalja juaj në mënyrën si po ndodh sonte i rrit gjasat për infektime të reja dhe si rrjedhojë për izolim edhe më të gjatë”, ka shkruar Gjini, në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Gjinit:

“Qytetarë të nderuar,

Lehtësimi i masave kufizuese si pasojë e coronavirusit ka ndodhur për shkak se numri i rasteve ka filluar të bie.
Por kjo nuk do të thotë se rastet e reja nuk do të shfaqen prap. Dhe nëse shfaqen, atëherë do të duhet të mbyllemi edhe për javë të tëra.

Dalja juaj në mënyrën si po ndodh sonte i rrit gjasat për infektime të reja dhe si rrjedhojë për izolim edhe më të gjatë.

Për këtë arsye unë do të kërkoj nga policia që të ndërmerr masa.

Nëse doni ta kalojmë këtë pandemi më shpejtë përfillni rregullat”, ka shkruar Gjini.

Edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës është vërejtur fluks i madh i qytetarëve, sado që vazhdon të mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes.

Në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër COVID-19.

Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke filluar nga sot (4 maj), hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personal dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Po ashtu, nga sot fillon edhe zgjatja e orarit të lëvizjeve të qytetarëve.

Orari i qarkullimit rregullohet sipas shifrës së parafundit të numrin personal të letërnjoftimit. Me orarin e ri, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite.

Exit mobile version