Site icon Prishtinapress

Foshnja në QKUK lind në pllaka

Ishte shtrirë me gëzim në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të sjell në jetë fëmijën e saj të tretë.

Mirëpo, Vahide Tasholli nga Ferizaj nuk arriti të përjetoj gëzimin e njëjtë sikur nënat tjera brenda dhomës ku u shtri për të lindur, shkruan Indeksonline.

Tërë kjo pasi në momentin kur Tasholli po përjetonte dhimbjet e fundit të lindjes, asnjë mjek nuk ishte i pranishëm në sallë të lindjes.

Foshnja e porsalindur kishte rënë mbi pllaka duke pësuar lëndime serioze me të ardhur në jetë nga neglizhenca e stafit mjekësor. Kështu tregojnë burime të besueshme brenda QKUK-së.

“Indeksonline” ka vizituar për së afërmi nënën e cila nuk nxori zë prej goje pos kësaj fjale.

“Qaty kenë motrat… Me kanë që ishin kujdes bash qashtu s’ish ra”, ishin fjalët e vetme që nëna ka zgjedhur t’i thotë me gjithë frikën që ka për gjendjen e djalit të porsalindur.

Rrëfimi i babait

Ndërkohë, në anën tjetër babai i foshnjës ka zgjedhur të jetë më i zëshëm në këtë rast.

Ai e ka konfirmuar ngjarjen duke treguar se foshnja ka pasur gjakderdhje prej atij momenti. Derisa ka treguar se i është ofruar edhe gjak për të tejkaluar gjendjen e tmerrshme.

“Fakt është që u ra, mirëpo pa marr rezultat unë nuk po guxoj me dhanë kurrfarë interviste. Se është ky rast që ka ndodh. Bebja është gjallë ama tjetër sen nuk mundem me dit. Ka gjakderdhje. Tash janë tu e përcjell a po i ndalet gjakderdhja. Ngjarja është e vërtetë. Gjendjen po thonë jem tu e këqyr. Jena tu e përcjell. Pram i kanë dhanë gjak se ka pas nevojë për gjak. Po tutemi për shkak të bebes”, flet plot mllef prindi i foshnjës që nuk do ta zbuloj identitetin.

Klinika e Gjinekologjisë : Po hulumtojmë dokumentacionin

Në Klinikën e Gjinekologjisë, nuk pranojnë të flasin për rastin. Madje, deklaratat që ky repart ka dhënë për Indeksonline janë qesharake.

Myrvete Paqarada, drejtoreshë në Klinikën e Gjinekologjisë, e kontaktuar nga Indeksonline konfirmon se janë duke hulumtuar rastin, ndërsa mundohet të i ik kësaj përgjegjësie me arsyetimin se ka qenë në pushim.

Derisa Paqarada konfirmon se po e hetojnë dokumentacionin, duket se shpejt t’i ketë rënë pishman për këtë deklaratë, pasi kur pyetet se a është në dijeni për rastin, përgjigjet se nuk është në kurrfarë dijenie.

“Unë nuk mundem me iu dhanë një sqarim se edhe ne jemi tu e hulumtu dokumentacionin. Unë jam në pushim mjekësor nuk kam qenë në punë këto ditë. Tek kur dal në punë se i kam do probleme. Nesër kam me udhëtu për Zagreb. Mandej shohim çka ka ndodh e qysh ka ndodh. Pyetjet duhet t’i dërgoni tek zyra për informim në kuadër të QKUK-së. Jo jo nuk jam në dijeni kurrë farë dijenie. Por zyra për informim i ka të gjitha të dhënat nëse ka ndodh diçka e atillë”, thotë Paqarada.

Indeksonline mëson se ky rast është duke u ndjekur edhe nga autoritetet e sigurisë.

Exit mobile version