Site icon Prishtinapress

Flet ish-ushtari i UÇK-së që refuzoi t’i përgjigjet Speciales: Akuzohem për vrasjen e dy civilëve serbë, këto janë montime

Ish- ushtari i UÇK-se, Faik Zogaj nga komuna e Malishevës, ka treguar arsyet se pse ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim.

Ai në një lidhje direkte gjatë emisionit Debat Plus në RTV Dukagjini, ka thënë se është akuzuar për tri vepra penale, por që këto akuza ai i quan të padrejta.

‘Unë jam ftuar në cilësinë e të akuzuarit, por s’do t’i përgjigjem kësaj ftese për shumë arsye. Arsyeja e parë është politike dhe e dyta sepse edhe unë kam anëtarë të humbur, të vrarë, ndër ta edhe një 14 vjeçar dhe në fshat kemi gjithsej 20 martirë”, ka thënë Zogaj, përcjellë Indeksonline.

Ai ka treguar se cilat janë tri veprat penale për të cilat akuzohet.

“Për dëbimin e civilëve serbë nga fshati, për djegien e shtëpive dhe për vrasjen e dy banorëve serbë në fshatin Mleqan.

Por, jo unë, po asnjë luftëtar i UÇK-së nuk i kanë sulmu civilët në atë kohë. Serbët kanë ba filmi, i kanë vra vet mrena stacionit policor e më pas i kanë nxjerrë në rrugë kinse i ka bërë dikush tjetër. Kanë bërë vazhdimisht shantazhe si edhe sot”.

Ish-ushtari i UÇK-së ka shtuar se kjo gjykatë s’është e drejtë, pasi veçmas në Drenicë ka civilë që janë masakruar dhe asnjë serb s’është akuzuar deri më tani.

“Unë kam qenë në atë kohë në Tropojë të Shqipërisë. Kam qenë për armë, këtë e dëshmon edhe OVL-UÇK. Këtu shihen montimet e Gjykatës Speciale. Pasi ata kanë dërgu ftesë e kanë akuzu dhe s’kanë dijeni se ku kam qenë unë. Këto janë të pabaza dhe s’do t’i përgjigjem. Kam qindra bashkëluftëtar që dëshmojnë që në atë kohë unë kam qenë me ta”.

Zogaj në fund tha se ai kishte qenë vetëm një ushtar i thjeshtë që nga dita e parë deri në të fundit.

Exit mobile version