Site icon Prishtinapress

Fjalët e kryeministrit Hoti, pas nënshkrimit të marrëveshjes me delegacionin amerikan

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur pas takimit me të dërguarin Special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Tha se kanë diskutuar për pikat e marrëveshjes e cila do të nis së shpejti zbatimin.

“Prezenca e tyre tregon seriozitetin e presidentit Trump e një marrëveshje e cila me plotë të drejtë po cilësohet historike’, tha Hoti.

“Kishim një bisedë të gjerë e të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes. E them me kënaqësi se do të lëvizim shpejt në zbatimin e marrëveshjes”, theksoi ai

“Është krijuar një momentum i ri ekonomik në rajon dhe bashkë me të do të lëvizim përpara. Kjo marrëveshje do të krijojë mijëra vende pune. Ne jemi angazhuar komplet si qeveri i kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe presim që të kemi zbatimin e plotë të marrëveshjes”, tha kryeministri.

Ndryshe, me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.

Exit mobile version