Filmi rus për luftën e Kosovës, me plot trillime për UÇK-në e shqiptarët

0
34

Kinematografia ruse në mars të vitit 2019, ka lansuar filmin e trilluar për Kosovën, i quajtur “Linja Ballkanike”.

Filmi është bërë si fushatë kundër NATO-s, po ashtu paraqet anën krejtësisht të pavërtetë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në film flitet për operacionin “Marshi” të parashutistëve rusë nga Bosnja e Hercegovina në aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, në qershor të vitit 1999.

Ushtarët e UÇK-së i quajnë plaçkitës e banditë.

Sipas filmit, UÇK-ja ka bërë kontrabandë me organe të civilëve serbë, gjatë luftës së Kosovës.

“Është viti 1999. NATO po e bombardon Serbinë dhe po Kosovën po ia lë plaçkitjes së banditëve shqiptarë. Rusisë i është ofruar rol i vogël dhe i turpshëm për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë. Aeroporti në Sllatinë kalon nën kontrollin e komandantit shqiptar Smuk. Pjesëtarët e inteligjencës ruse, Andrej Shatalov dhe Bek Jethojev e marrin aeroportin. Nga Bosnja, në marshin prej 600 kilometrash për në Kosovë, niset batalioni rus. Detyra e tyre nuk është vetëm kontrolli mbi aeroportin, por edhe shkatërrimi i çerdhes së Smukut dhe çlirimi i vajzës Shatalova, të cilën banditët e kanë zënë rob për të bërë kontrabandë me organe. Rusia, pas euforisë me Perestrojkën, e kuptoi se ka interesat e saj, të cilat duhet t’i mbrojë. Filloi epoka e re”, sqaron përmbajtjen e filmit kompania Upgrade Vision.

Sipas tij, autorët janë inspiruar me rrëfimet e disa rusëve që kanë qenë në Ballkan në luftërat e viteve 90.

Në mesin e tyre është edhe majori i shërbimit të inteligjencës GRU (ai është tash kryetar i Ingushetisë) Junus -Bek Jevkurov, i cili nga komanda ruse, në fund të majit të vitit 1999, kishte marrë detyrë sekrete që ta marrë kontrollin mbi aeroportin në Sllatinë. Personi tjetër interesant është Anatolij Lebed, “legjendë” e forcave speciale, të cilin kolegët e tij e quanin “Rambo rus”.

Lebed, i cili është bartës i shpërblimeve më të mëdha ushtarake, në vitin 1994 është dashur ta braktisë ushtrinë dhe ka punuar si rojtar në treg, si dhe ka bërë kontrabandë me automjete nga Gjermania. Lufta në Ballkan ia ka mundësuar atij që të kthehet në radhët e ushtrisë: ka shkuar në Kosovë dhe ka luftuar në anën e serbëve.

Rolet kryesore në film i luajnë aktorët: Gosha Kucenko, Ravshana Kurkova, Anton Pampushni, si dhe disa aktorë serbë./Telegrafi/