I kryesuar nga mikrobiologu Lul Raka, sot në Prishtinë ka filluar punën Bordi Këshillëdhënës për Covid-19, i formuar nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Në takimin e parë të këtij Bordi, Ministri Zemaj tha se përmes formimit të këtij trupi, Ministria e Shëndetësisë ka dashur që në mënyrë të veçantë, të adresojmë nevojën për të pasur informacione dhe këshilla profesionale rreth Covid-19 për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës me këtë sëmundje në Kosovë.
Ai tha se Bordi do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla në funksion të përmirësimit të shëndetit publik, parandalimit të sëmundjeve fizike dhe mendore të popullatës.
“Në hapat e mëtejmë pa dyshim që na duhen vendime të cilat mbështeten në dëshmi, ndërsa në këtë aspekt këto këshilla na duhen në të gjitha segmentet, duke përfshirë aspekte që kanë të bëjnë prej hulumtimit e diagnostikimit të rasteve e deri te trajtimi klinik i tyre, që sot për sot, paraqet sfidën me të madhe, duke qenë që numri i atyre që janë në spitalizim, apo atyre që do të mund të kërkojnë në të ardhmen tretman spitalor, është i lartë”, tha Zemaj, thuhet në komunikatë.
Ministri Zemaj ka falënderuar edhe ish-Ministrat e Shëndetësisë, Ferid Agani e Imet Rrahmani, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesë për të kontribuar, duke theksuar se si Ministër pret që Bordi të ketë një rol sa këshillues aq edhe kritik, në mënyrë që të identifikohen edhe mangësitë në masat e marra, me qëllim që ta përmirësojmë dhe menaxhojmë më tej përhapjen e Covid-19.
Kryesuesi i Bordit këshillëdhënës Lul Raka tha se tha në kohë pandemie, çdo veprim që duhet të merret duhet të këtë bazë shkencore, ndërsa profesionistët shëndetësor kanë përgjegjësinë që t’i përgjigjen thirrjes për të kontribuar.
“Veprimi ynë i përbashkët do të jetë që mos t’i sulmojnë njerëzit, por ta sulmojnë armikun e përbashkët që në këtë kohë është virusi”, tha profesor Raka.
Anëtarët e tjerë të Bordit kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të përdorin përvojat e tyre dhe përgatitjet profesionale, me qëllim që institucionet të këshillohen për të sjellë vendime të drejta ta cilat do të kenë ndikim në ruajtjen e shëndetit publik të popullatës nga Covid-19.
Bordi do të përgatis të dhëna dhe këshilla për segmente të ndryshme rreth pandemisë, me qëllim që MSh-së t’i ofrojë këshillat në kohë reale për të sjellë vendime të cilat i përgjigjen situatës aktuale dhe parashikimeve të ndryshme rreth Covid-19.