Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Frankfurt, Fatmire Musliu ka folur edhe për deklarimet e një analisti në Kosovë i cili në një emision e quajti diasporën primitive.
Për Musliun kjo deklaratë përbën një ofendim direkt për mërgimtarët.
‘’Ka qenë një ofendim i hapur në adresë të mërgatës, sepse edhe nëse dikujt i pengon, diaspora është garantues socioekonomik për Kosovën. Unë nuk e di për çfarë diaspora flet analisti, ajo është shumë e integruar. Dashuria dhe përkushtimi për atdheun nuk janë çështje primitive. Një përqindje e madhe e fëmijëve tanë janë në studime në vendet e botës’’, është deklaruar Musliu.
Musliu po ashtu ka pohuar se po punojnë në krijimin e lehtësirave për shqiptarët që jetojnë në Gjermani dhe që kanë nevojë për shërbime administrative.