Site icon Prishtinapress

Familja e Klodian Rashës mesazh publik protestuesve

Prej katër ditësh vijojnë protesta kundër vrasjes së të riut Klodian Rasha, ndërsa nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjet ndërmjet qytetarëve dhe forcave Policisë së Shtetit.

Familja e Klodian Rashës me një letër publike kërkon që të ndalet dhuna, pasi shton se skenat që shohen ua thellojnë më tej plagën për humbjen e të birit.

“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhte as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes se djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tonë ia mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësinë po vetëm padrejtësi të tjera”, thuhet në letër, raporton Euronews Albania.

Më tej familja e Klodianit thotë se janë pranë familjes së policit të plagosur në sy, gjatë përplasjeve me protestuesit. Ajo u bën thirrje të rinjve të mos përdoren nga politika.

“Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbasë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikës të mos manipulohen nga politika. Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mbarë popullin shqiptar. Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi. Por e drejta duhet të shkojë në vend në gjykatë dhe ne e presim nga shteti ta garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike”, thuhet në letër.

Në fund familja e 25-vjeçarit të vrarë ka një apel të drejtpërdrejtë për të gjitha forcat politike, ndaj të cilave kërkon të mos i hedhin më benzinë zjarrit.

“Politikanët t’i thirrin mendjes se boll e kanë lodhur këta popull me lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesin e tyre. Duam t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madhe dhe ua shpërblefshim veç në gëzime! Të shkuara policit të plagosur dhe veç të mira paste bashke me prindërit dhe familjen e tij”, thuhet në letër.

Exit mobile version