Site icon Prishtinapress

Falsifikuan dokumente, arrestohen dy të dyshuar

Falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të mirë edhe me qytetarët, Policia e Kosovës ka realizuar hetime disa javore meqë rast është arritur që sot të identifikohen dhe arrestohen dy persona të dyshuar:

-një mashkull/shqiptar kosovar me inicialet (A.A.) dhe

-një femër/serbe kosovare me inicialet (L.S.),

nën dyshim e bazuar se kanë kryer vepra penale ku përfshihen “Falsifikim i dokumentit zyrtar” neni 434, “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, “Mashtrim” nga neni 335  dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 i KPRK-së.

Të dyshuarit e potencuar lartë me iniciale dyshohet se kanë keqpërdorur dokumente, diploma etj., me qëllim që poliklinikën t’a Licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Pas zhvillimit të hetimeve intenzive dhe profesionale nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësia rajonale në Prishtinë ekziston dyshimi i bazuar se  janë kryer Veprat Penale të lartëpërmenduara. Gjatë hetimeve, janë trajtuar të gjitha provat me profesionalizëm. Lidhur me rastin në fjalë është konsultuar edhe Prokurori i rastit (në PTH-Prishtinë) i cili  është njoftuar për të gjitha veprimet e ndërmarra nga Njësiti rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë (NJRHKEK). Nga i njëjti jemi udhëzuar që në Poliklinikë të bëhet një kontroll i përbashkët me Inspektoratin Shëndetësorë të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të verifikimit dhe vërtetimit të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet e ngritura”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje u shtua se sot është realizuar Plani Operativ “Poliklinika” i cili ka rezultuar me gjetjet e kërkuara, dhe kështu zyrtarët hetues kanë sekuestruar dokumentacione si prova materiale. Pas përfundimit të kontrollit, Poliklinika në fjalë është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ndërsa hetuesit policor, në koordinim me Prokurorin e rastit, kanë arrestuar të dyshuarin e parë të rastit të cilin e kanë shoqëruar në ambientet policore. Menjëherë është ftuar edhe e dyshuara e dytë  e rastit, e cila po ashtu është arrestuar. Pas intervistimit të dy të dyshuarve të arrestuar (A.A.) dhe (L.S.), Prokurori i rastit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e tyre për 48 orë, për procedura të mëtejme sipas ligjit”, përfundohet në komunikatë.

Exit mobile version