Site icon Prishtinapress

Engel i reagon Trumpit: Luftës së Kosovës i dhanë fund Clinton dhe NATO, e jo ju

Kongresmeni demokrat Eliot Engel ka reguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se ka qenë pikërisht ai që ka “parandaluar vrasjet e disa njerëzve”, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Siç shkruan Forbes, përcjell Telegrafi, presidenti Donald Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se ai ndërmjetësoi për t’i dhënë fund konfliktit të dhunshëm midis Serbisë dhe Kosovës, edhe pse, po sipas Forbes, Lufta e Kosovës përfundoi më shumë se dy dekada më parë.

Sipas Forbes, gjatë një tubimi në Nebraska të martën, Trump pretendoi se Serbia dhe Kosova kishin luftuar për shekuj me radhë, por ky konflikt i përgjakshëm me sa duket përfundoi pasi Trump u tha udhëheqësve të dy vendeve se nuk ishte i gatshëm të bënte ndonjë marrëveshje tregtare nëse nuk bien dakord të ndalojnë vrasjen e njëri-tjetrit, “manovra e suksesshme që presidenti parashikoi se do të shpëtojë shumë jetë”.

Veç kësaj, shkruan më tej Forbes, Trump bëri një pretendim pothuajse identik të dielën, duke thënë një turme në New Hampshire se ai ndërmjetësoi një marrëveshje paqësore Serbi-Kosovë që ndërpreu gjakderdhjen disa dakadashe dhe përfundoi me “përqafimet dhe puthjet” e liderëve të dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë këtë vit.

Siç potencohet në shkrimin e Forbes, Trump ndihmoi për të negociuar një marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë këtë vit, por ajo marrëveshje kryesisht përfshinte lidhje ekonomike dhe transporti dhe ajo nuk zgjidhi çështje të vështira gjeopolitike si refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën që kur kjo e fundit shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Dhe lidhur me këto pretendime të presidentit Trump ka reaguar edhe kongresmeni demokrat, Eliot Engel.

Përmes një cicërime në Twitter ai ka shkruar se Lufta e Kosovës ka përfunduar dy dekada më parë, përkatësisht në vitin 1999.

“Ju nuk i keni dhënë fund asaj (lufte), President. Bill Clinton dhe NATO e bënë këtë”, ka shkruar Engel në Twitter, ku edhe ka shpërndarë lajmin e publikuar nga Forbes.

Exit mobile version