Site icon Prishtinapress

Emri i Maqedonisë, Marrëveshja e Prespës pritet të finalizohet më 10 janar

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës mund të finalizohet më herët nga afati i paralajmëruar nga autoritetet.

Ndonëse seanca për miratimin e ndryshimeve kushtetuese është caktuar më 9 janar ndërsa procesi pritej të rrumbullakohej deri më 15 janar, votimi final mund të ndodhë më 10 janar.

Rrjedhimisht, edhe procesi në Athinë pritet të nisë më herët.

Sipas të përditshmes greke Kathimerini, procesi në Shkup dhe Athinë po përshpejtohet me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili përmes një letre dorëzuar autoriteteve në të dyja vendet kërkon që procesi i Prespës të finalizohet deri më 15 shkurt.

“Siç duket kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po e përshpejton procesin e zbatimit të Marrëveshjes në Shkup pas letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dërguar në Shkup dhe Athinë që Marrëveshja të ratifikohet në të dyja parlamentet deri më 15 shkurt, në mënyrë që shteti ballkanik të mund të anëtarësohet në Aleancë pa vonesa të mëtejme”, shkruan Kathimerini.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, në fjalimin e fundvitit pati deklaruar se nuk ishte i sigurt nëse Pakti i Prespës do të votohej përpara muajit mars.

Megjithatë, ai disa herë është shprehur i prerë se ka shumicën e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.

Mediat në Greqi presin tensione politike me arritjen e paktit në Athinë madje edhe zgjedhje të parakohshme në muajin maj së bashku me lokalet dhe ato për parlamentin evropian.

Por, Tsipras ka hedhur poshtë mundësinë që zgjedhjet parlamentare të ndodhin më herët nga afati i rregullt në tetor.

Në Shkup, pavarësisht kundërshtimit të ashpër VMRO DPMNE-ja nuk pritet ta bllokojë procesin e votimit pas paralajmërimit se nuk do të marrë pjesë fare në fazën finale të ndryshimeve kushtetuese.

Mbetet të shihet qëndrimi i opozitës shqiptare ndërkaq e cila kushtëzoi kryeministrin Zaev me përmbushjen e kërkesave të tyre.

Megjithatë të sigurt se procesi i Prespës do të finalizohet me sukses janë nënshkruesit e Marrëveshjes që i dha fund kontestit 27 vjeçar mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitorv ditë më parë u shpreh i bindur se procesi i Prespës do të jetësohet deri në fund.

Të njëjtën garanci për zbatimin me sukses të paktit në Athinë e dha edhe ish kolegu i tij grek, Nikos Kocias.

Exit mobile version