Site icon Prishtinapress

Eliot Engel: Sa më parë që Serbia e kupton se Kosova është e pavarur, aq më mirë

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të kthejnë vëmendjen kah Kosova dhe Serbia, ashtu siç kanë bërë administratat e mëparshme amerikane. Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ai po ashtu thekson se Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se e tillë do të mbetet. Engel, kryetar i Komitetit të Kongresit amerikan për Punë të Jashtme, u bën thirrje të dyja vendeve që t’iu kthehen bisedimeve.

Radio Evropa e Lirë: Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka ngecur prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar. Duket se as Prishtina, as Beogradi nuk duan të bëjnë asnjë hap përpara. A shihni ju ndonjë dritë në fund të tunelit?

Eliot Engel: Po. Mendoj se dialogu është gjithmonë i rëndësishëm dhe mendoj se ai mund të thyejë shumë barriera. Shpresoj dhe i inkurajoj të dyja palët të nisin bisedimet. Nëse nuk ka bisedime, nuk ka përparim, nuk ka lëvizje. Ne duhet të lëvizim, kjo është një situatë që po vazhdon për kohë të gjatë, edhe para tarifës. Nuk mendoj se është e drejtë të fajësohet tarifa.

Është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë të kuptojë se bëhet fjalë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe ky shtet i pavarur do të mbetet. Dhe, kështu, shpresoj që Serbia dhe Kosova të kenë marrëdhënie të mira, nga të cilat do të përfitonin të dyja vendet dhe do të përfitonte rajoni. Unë do të doja t’i shihja të dyja vendet të pranuara në Bashkimin Evropian dhe mendoj se njëri duhet ta ndihmojë tjetrin. Nuk mendoj se duhet të ketë barriera. Kur bisedoni, ju thyeni shumë barriera. Shpresa jonë është që të ketë bisedime pa parakushte.

Radio Evropa e Lirë: Si e shpjegoni qëndrimin e palëkundur të Qeverisë së Kosovës? Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka refuzuar të tërheqë taksën…

Eliot Engel: Unë kam biseduar me të. Ai beson fuqishëm se mallrat e Kosovës, ndoshta jo të gjitha, nuk lejohen në tregun e Serbisë. Nëse diçka, për shembull, prodhohet në Republikën e Kosovës, ajo nuk mund të shitet në Serbi. Zoti Haradinaj, me të cilin kam biseduar, mendon se ka taksa ndaj të gjitha mallrave të Kosovës, që nuk u lejohet hyrja në Serbi. Kështu që ai ndjen se me vendosjen e tarifës (për mallrat e Serbisë), situata barazohet. Ky është interpretimi i tij. [Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq natyrisht se ka interpretim ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: A po e përdor Vuçiq taksën si justifikim për të mos vazhduar negociatat me Kosovën?

Eliot Engel: Mendoj se të dyja palët duhet të ulen (dhe të bisedojnë) sa më shpejt që është e mundur dhe asnjëra prej tyre nuk duhet të përdorë justifikime për të mos biseduar. Nëse shkojmë në këtë drejtim, nuk kemi probleme. Ne e dimë se cilat janë çështjet. Pavarësia e Kosovës është diçka që nuk zhbëhet. Beogradi duhet të pajtohet me këtë. Por, Beogradi po ashtu ka nevoja dhe dëshira legjitime. Unë shpresoj, siç e thashë edhe më parë, se të dyja vendet do të pranohen në BE. Çdo justifikim për të mos biseduar është një hap prapa. Të dyja palët duhet të bisedojnë.

Radio Evropa e Lirë: Por, duket se të dyja palët presin nisma nga Shtetet e Bashkuara, më shumë se nga Bashkimi Evropian. Si ka arritur procesi i dialogut në këtë pikë?

Eliot Engel: Druaj se pjesëmarrja dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje të rëndësishme kanë rënë në plan të dytë, për shkak të gjërave të tjera me të cilat po merret administrata Trump. Aktualisht ka debat të madh rreth migrmit, një numër i madh i njerëzve po vjen në kufijtë tanë nga Amerika qendrore. Kjo mendoj se e ka tejkaluar situatën në Ballkan, sa i përket vëmendjes së Amerikës. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet t’iu japin më shumë vëmendje këtyre dallimeve midis shqiptarëve dhe serbëve. Mendoj se Shteteve të Bashkuara u besojnë të dyja palët. Shpresoj se do të kalojmë më shumë kohë në këtë çështje, ashtu siç kanë bërë administratat paraprake. Me [presidentët] Bill Clinton dhe George W. Bush është investuar shumë energji në Ballkan, kurse tani jo aq shumë. Mendoj se kjo është gabim.

Radio Evropa e Lirë: A është gabim të pritet një nismë e re amerikane në shtator? Po e përmend shtatorin sepse ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ndoshta në shtator mund të shohim një nismë të re të SHBA-së. Ai e ka thënë këtë dy javë më parë.

Eliot Engel: Ai mund të dijë diçka që unë nuk e di. Unë nuk kam biseduar me presidentin për këtë, apo me sekretarin e Shtetit apo këshilltarin për siguri kombëtare. Unë kam dashur të vi në Ballkan së pari dhe të flas me njerëz nga të gjitha palët. Kam pasur një takim me Vuçiqin dje (v.j. më 3 korrik). Kjo nuk është hera e parë që kemi biseduar. Mendoj se bisedimet kanë qenë të mira, të ndershme. Ne nuk pajtohemi për gjithçka, por pajtohemi se duhet bërë përparim në këtë çështje. Unë do të shkoj edhe në Kosovë dhe, kur të kthehem në Uashington, shpresoj se do të mund ta informoj administratën për atë që kam dëgjuar.

Radio Evropa e Lirë: Cili është mesazhi juaj për mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?

Eliot Engel: Jam shumë, shumë skepitik për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Mendoj se problemi këtu është se kur nis ndryshimi i kufijve, ku merr fund? Nuk mendoj se mund të ndryshoni kufijtë vetëm me Serbinë dhe të mos mendohet se edhe Republika Sërpska do të dojë t’i ndryshojë kufijtë e saj. Druaj se nëse kjo çështje hapet, ajo mund të shndërrohet në Kuti të Pandorës. Dhe, të gjithë jemi të vetëdijshëm për luftërat që kanë ndodhur në rajonin e Ballkanit për të gjitha këto vite. Jam shumë i vetëdijshëm për këtë. Nuk mendoj se është e lehtë ashtu siç duket.

Radio Evropa e Lirë: Pse keni vendosur të vizitoni Luginën e Preshevës?

Eliot Engel: Nuk kam qenë kurrë atje, edhe pse në rajon kam qenë shumë herë. Dua t’i dëgjoj pikëpamjet e tyre (përfaqësuesve në Luginë). Kur shkoj në Kosovë, gjithmonë përpiqem të takoj komunitetin serb. Kështu që kam menduar se do të jetë mirë të takoj komunitetin shqiptar në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Në shkurt të këtij viti, ju keni thënë se njohja reciproke Kosovë-Serbi është e nevojshme. Por, është e qartë se kjo zgjidhje nuk është e mundshme, mes tjerash, për shkak të Kushtetutës së Serbisë. Cila zgjidhje e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë është reale të pritet në këtë moment?

Eliot Engel: Mendoj se Serbia duhet të pajtohet se e ka humbur Kosovën, se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, se është një grup tjetër etnik, se është ndryshe nga viti 1999. Mendoj se duhet të pajtohet me këtë. Nëse nuk pajtohet, nuk mund të presë paqe. Dhe kjo vlen edhe për Serbinë, edhe për Kosovën. Shpresoj se Beogradi do të interesohet më shumë për të ardhmen e njerëzve në Ballkan. Serbia sigurisht se është një vend i rëndësishëm dhe mund të bëhet lidere në rajon. Mendoj se mund të udhëheqë dhe të bëjë punë të mirë. Por, nëse pretendon se nuk ka ndodhur asgjë në vitin 1999 ose pas, kjo nuk është një mënyrë e mirë për të nisur. Sa i përket Kushtetutës [së Serbisë, në të cilën Kosova figuron si pjesë e Serbisë], ajo nuk është e gdhendur në gur. Kushtetuta e SHBA-së ka ndryshuar kohë pas kohe. Kemi mënyra dhe procese për ta ndryshuar. Edhe Kushtetuta e Serbisë do të duhet të ndryshojë, sepse Kosova vërtet nuk është më pjesë e Serbisë. Atje janë një milion e gjysmë shqiptarë dhe një përqindje e vogël e serbëve, prej të cilëve një pjesë nuk dëshiron të jetojë më atje. Thjesht, duhet të përballemi me realitetin e ri. Sa më parë që e kupton Beogradi këtë, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: A jeni të befasuar me titujt negativë në mediat serbe, që janë lexuar të mërkurën, në ditën kur ju keni ardhur në Beograd? Në ballinën e gazetës Veçernje Novosti shkruan – citoj – Eliot Engel, krijues i gënjeshtrave rreth Serbisë. Si ndiheni për këtë?

Eliot Engel: Mendoj se kjo është gënjeshtër. Mendoj se është e vetmja gënjeshtër që kam dëgjuar këtu. Dje kam pasur një takim shumë të mirë me zotin Vuçiq. Disa herë jemi takuar edhe në zyrën time në Uashington. Kemi pasur bisedime të sinqerta, edhe pse nuk jemi pajtuar gjithmonë. Unë gjithsesi se e respektoj udhëheqjen e tij, edhe pse nuk pajtohem gjithmonë me të. Por, mendoj se është një personalitet i fuqishëm që punon intensivisht për vendin e tij. Mendoj se gjithmonë do të ketë njerëz që do të krijojnë probleme.

Paqja bëhet me kundërshtarët. Pasja nuk bëhet me aleatët. Dhe mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë paqe mes vete dhe nëse unë mund të ndihmoj në ndonjë mënyrë, jam i gatshëm. Nëse dikush mendon se nuk mund të ndihmoj, edhe kjo është në rrgull. Unë mendoj se njerëzit në Kosovë, ku shqiptarët janë shumicë, po ashtu kanë të drejtë të luftojnë për veten e tyre, ndërsa Serbia ka të drejtë të jetë lidere e fuqishme në rajon. Pra, mendoj se dialogu mund të thyejë shumë barriera dhe dua që dy palët të ulen dhe të bisedojnë.

Gjithmonë kam pasur bisedime të mira me zotin Vuçiq, edhe pse nuk jemi pajtuar në gjithçka, por ato kanë qenë bisedime plot respekt. Shpresoj se të gjiithë njerëzit në rajon, përfshirë edhe serbët në Serbi, do të japin gjithçka nga vetja, për të bërë përparim. Për fat të keq, gjithmonë do të ketë njerëz që do t’i kthehen së kaluarës dhe do të pengojnë çdo përparim që bëjmë. Megjithatë, mendoj se të gjithë e dinë se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të vazhdojmë tutje dhe Serbia dhe Kosova të bëhen anëtare të BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Pasi Vuçiq është takuar me ju, ai ka thënë se keni biseduar edhe për rastin e vëllezërve Bytyçi. A ka ndonjë përparim sa i përket këtij rasti?

Eliot Engel: Fatkeqësisht jo, nuk ka ndonjë përparim. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur, jemi mjaft të sigurt se çfarë ka ndodhur, e dimë se kush e ka bërë, por duket se ka pengesa në hetime. Mendoj se rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë. Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiq e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd. Mendoj se kjo është edhe një situatë që duhet të zgjidhet, në mënyrë që të vazhdohet përpara. Në të kundërtën, kurrë nuk do të zgjidhet asgjë. Në të gjitha këto mosmarrëveshje duhet të bëjmë përparim. Familja Bytyçi duhet ta ketë këtë rast të përfunduar dhe ne duhet ta ndihmojmë.

Radio Evropa e Lirë: Besoj se e dini se një nga drejtuesit më të lartë të policisë serbe në nga periudha e viteve ’90, Goran Radosavleviq Guri, sipas disa burimeve, është i dyshuari kryesor për këtë krim. Ai është anëtar i partisë së Vuçiqit. Si e komentoni këtë?

Eliot Engel: Komenti i vetëm është që ky rast duhet të zgjidhet sa më parë – gjë që duket se mund ta bëjë vetëm zoti Vuçiq, i cili mund të vendosë nëse do ta zgjidhë ose jo. Shpresoj se thirrjet e mia dhe të njerëzve të tjerë për të, do të kenë peshë dhe do të kuptohet se ajo që është e drejtë për t’u bërë, është mirë edhe për Serbinë. Ky rast duhet të marrë fund, sepse tash është si ato plagët e hapura gjithmonë, që nuk shërohen kurrë. Kjo nuk është e drejtë për familjen Bytyçi dhe për askënd. Andaj, e inkurajoj zotin Vuçiq, sepse besoj se vetëm ai mund të bëjë ndonjë lëvizje.

Exit mobile version